Gjakovarët e vlerësojnë si qyqar planin për eleminimin e kryetares

Autori:Gazeta Fjala

Paralajmërimi i kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila për një plan eventual për eleminimin e saj fizik i ka shokuar të gjithë në Gjakovë, pa asnjë dallim. Intelektual, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë kanë thënë për “Zërin” se janë shokuar vetëm me faktin se një ide e tillë është menduar nga dikush.

Sipas tyre, idetë e tilla janë ligësi dhe turp për Gjakovën.

“Gjakova dhe nahija e saj është e njohur historikisht për respektimin e femrës. Respektimi i femrës është një traditë që neve na ka veçuar gjithmonë dhe me të cilën jemi mburrur. Edhe Mimoza Kusari – Lila është rezultat i kësaj tradite, prandaj kërcënimi i saj është kërcënim i femrës shqiptare që neve si Gjakovë na prekë e na lëndon thellë. Dukuri të tilla, siç është sulmi mbi femrën shqiptare, janë elementet e para të dekombëtarizimit të popullit tonë dhe neve si Gjakovë nuk na ka hije një akuzë e tillë, për faktin se tradicionalisht kemi qenë simbol i mbrojtjes së kombit”, ka thënë Masar Rizvanolli, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”.

Si njëri ndër historianët më të vjetër në Kosovë, Rizvanolli ka dhënë me dhjetëra shembuj të respektimit të femrës shqiptare.

“Në Gjakovë ende ruhet dhe respektohen varrezat e motrave Bejtullahu, të cilat u vetëflijuan për të mos rënë në dorë të ushtarëve austro – hungarez. Të gjithë i njohim me emërtimin ‘Varret e Çikave’. Në Gjakovë ende ruhet dhe respektohet varri mbi 400 vjeçar i nënës së Sulejman Hadum Agës, themeluesit të qytetit. Të mos flas për heroinat e kohëve më të reja, të Luftës së Dytë Botërore, Gjylie Hana, Bije Vokshi e të tjera e deri tek lufta e fundit. Të mos harrojmë se në Gjakovë janë organizuar demonstrata të grave në kohën kur ka ekzistuar çarçafi e ferexheja”, ka thënë Rizvanolli.

Ideja për eleminimin fizik të një gruaje, në rastin konkret të kryetares së Gjakovës, është vlerësuar si akt qyqar edhe nga profesor Muhamet Rogova.

Ai ka thënë se veprime të tilla nuk janë përmendur as në kohën kur populli ynë është udhëhequr me normat e kanunit.

“Edhe në kohën kur nuk ka pasur ligje dhe populli udhëhiqej prej Kanunit kurrë nuk është diskutuar që mund të vritet një femër. Për shembull nëse një person që ka qenë në gjak dhe ka dalur në rrugë i shoqëruar me një femër, vrasësi nuk ka guxuar ta vrasë. Në të kundërtën një veprim i tillë është quajtur ‘pushkë e turpnueme’. Sot, kur kemi ligje, gjykata e prokurorë, kur jemi në mes të Evropës së qytetëruar dhe po e synojmë Evropën e qytetëruar është e papranueshme që të mbizotërojë ligji i anarkisë dhe të dëgjojmë për kërcënime të tilla”, ka thënë Rogova.

Të indinjuar me informacionin se dikush ka paguar për ta eleminuar fizikisht kryetaren e Gjakovës, janë shprehur edhe në Shoqatën “Thirrjet e Nënave”.

Nysrete Kumnova, kryetare e kësaj shoqate ka thënë për gazetën “Zëri” se ajo dhe të gjithë familjarët e personave të pagjetur janë të shokuar me këtë lajm.

“Jemi të shokuar për faktin se ende ka njerëz të tillë që kërcënojnë me jetë një grua, një zonjë si Mimoza Kusari – Lila, të cilën vetë votuesit e kanë zgjedhur për të na udhëhequr, për të dhënë kontributin e saj profesional në të mirën e qytetarëve të komunës sonë. Shoqata jonë i jep mbështetje të fuqishme dhe i dalim në mbrojtje kryetares së Gjakovës, në këto çaste dhe rrethana të jashtëzakonshme dhe duam të themi se në liri askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi vlerat, sakrificën, vuajtjet dhe gjakun e të rënëve”, ka thënë Kumnova.

Ndryshe, të gjithë intelektualët, përfaqësuesit e Shoqërisë civile dhe qytetarët e Gjakovës insistojnë tek organet e ndjekjes dhe ato të drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund punës së nisur për identifikimin, kapjen dhe dënimin e ideatorëve të kësaj ideje kriminale.

“Të gjithë duhet të bëhemi bashkë dh eta dënojmë një ide të tillë. Duhet ta dënojmë derisa ende nuk na është kthyer në traditë të keqe sepse një gjë e tillë më vonë mund të na kushtojë shumë”, ka thënë Xhevat Koshi, një tjetër intelektual gjakovar. /ZËRI/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gjakovaret-e-vleresojne-si-qyqar-planin-per-eleminimin-e-kryetares/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala