Gërxhaliu e Shahini në arenë debati

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbledhja e tretë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE) është shndërruar për një moment arenë për larjen e hesapeve nga përfaqësuesit e bizneseve. Aty haptas përfaqësuesit e bizneseve shfaqën se cilit krah politik i përkasin dhe cilën parti e favorizojnë. I pari që ka nxitur reagime në këtë mbledhje ka qenë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i cili me të marrë fjalën tha se nuk do të jetë servil ndaj Qeverisë “Mustafa” për t’ia duartrokitur secilin vendim.

Ai ka dhënë disa vërejtje për pakon e re fiskale dhe për udhëzimet administrative. Pas tij fjalën menjëherë e kërkoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili akuzoi AKB-në për plagjiaturë të një prezantimi. “AKB-ja ka prezantuar një punim plagjiaturë, atë e ka bërë para KKZHE-së rreth akcizës në pijet joalkoolike”, ka thënë Gërxhaliu. Ai më tej ka thënë se këtë çështje e ka ngritur OEK-u dhe kanë marrë përgjigje edhe nga ministri Hoti se do të gjenden modalitetet për heqjen e akcizës. Këtë e ka konfirmuar ministri Hoti, i cili ka thënë se për të hequr akcizën duhet të gjetur burim tjetër të të hyrave për buxhetin, pasi ka një kosto buxhetore prej 8 deri në 13 milionë eurosh.

Në këtë zhurmë të krijuar fjalën e mori edhe Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane nw Kosovës (OEAK), i cili shtoi se Qeveria është treguar servile ndaj bizneseve. “Kjo Qeveri ka inkorporuar shumicën e kërkesave të tyre në pakon e re fiskale”, shtoi Zeka. Kurse, kritikave për pakon e re fiskale i janë kundërpërgjigjur ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Nahit Sharku. Hoti ka thënë se Qeveria në pakon e re financiare i ka përfshirë të gjitha kërkesat e bizneseve.

E Sharku ka thënë se për të dhënë kritika është mirë që të lexohen ligjet dhe Udhëzimi Administrativ. Në fund të këtij debati ka ndërhyrë edhe kryesuesja e Këshillit, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila u bëri me dije se nuk do t’i lejojë përfaqësuesit e bizneseve të debatojnë në këtë nivel në mbledhjet e KKZZHE-së. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka qenë pjesëmarrës në takimet që PDK-ja i bënte me përfaqësuesit e bizneseve gjatë fushatës për zgjedhjen e 8 qershorit të vitit 2014. Kurse kryetari i OEK-ut ka shkuar në takimet edhe të partive të tjera në fushatën për zgjedhjet e vitit të kaluar.

Kurse, kreu i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, nuk ka marrë pjesë në takimet e partive para zgjedhjeve. Në këtë mbledhje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se infrastruktura, sektori i energjisë, sektori i bujqësisë dhe investimet e huaja në Kosovë mbeten ndër faktorët kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndonëse, për sektorin e energjisë kryeministri Mustafa pranon se ka mungesë dhe janë duke punuar mjaft për të gjetur forma të shtimit të kapaciteteve për furnizim me energji elektrike. “Fokus i kësaj Qeverie mbetet edhe përmirësimi i klimës për bizneset dhe ardhja e investitorëve të huaj”, shtoi Mustafa, shkuan Zëri.

Kurse deputeti nga radhët e LDK-së, Muhamet Mustafa, foli për mbrojtjen e investitorëve dhe mundësinë e shkurtimit të kohëzgjatjes së kontesteve biznesore, nga një vit që është tani të bëhet më pak se 6 muaj. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, theksoi se roli i kësaj Ministrie është edhe shqyrtimi i ankesave të investitorëve të huaj për barrierat dhe pengesat që ata i kanë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gerxhaliu-e-shahini-ne-arene-debati/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala