Gërxhaliu: Ambienti për biznese po përmirësohet, por s’do të ketë rritje ekonomike 4%, takimi me Vuçiq ishte i frytshëm

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se viti 2015 ishte i suksesshëm për shkak të ndaljes së trendit negativ. Ai deklaroi se Kosova ende ka shumë për të bërë në krijimin e lehtësirave burokratike, derisa tregoi për një numër të madh investitorësh ndërkombëtarë që ikën nga Kosova. Takimin e tij me kryeministrin serb e quajti të vlefshëm dhe “puro ekonomik”. Sipas tij 2016-ta premton zhvillim.

Në Info Magazinen e sotme, me mysafir kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliun, është diskutuar për raportin në mes të komuniteti të bizneseve dhe Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimit të tyre, klimës për të bërë biznes në Kosovës, por edhe për vizitën e delegacionit të Odës Ekonomike në Serbi dhe takimin me kryeministrin serb Aleksander Vuçiq.

Gërxhaliu tha se për shkak që viti i kaluar, 2014, ka qen një dështim i plotë, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka pritur ndonjë mrekulli nga institucionet udhëheqëse në Kosovës për 2015-tën.

“Nëse bëhet krahasim me vjetët tjera tash është një trend pozitiv”.

“Hapi pozitiv i kësaj Qeverie ka qen parandalimi i së keqes, e kemi ditur se ky vit nuk do të jap mrekulli”, tha Gërxhaliu, transmeton Klan Kosova.

Ai deklaroi se “ekonomia po e gjen vendin e vet si prioritet kryesor në këtë agjendë të ngjeshur politike”, derisa tha se takimi me kryeministrin Isa Mustafa “ka qenë një debat konstruktiv dhe është vërejtur një disponim për të dëgjuar bizneset”.

Por Gërxhaliu përmendi edhe sfidat më të cilat ballafaqohet ambienti i biznesit në Kosovë.

“Në vitin 2015 nuk është më problem kamata, por çmimi i lartë i energjisë elektrike, kjo e godet biznesin kosovar”.

“Ka edhe probleme të shumta për të bërë biznes dhe emëruesi i përbashkët i këtyre problemeve është sundimi i rëndit dhe ligjit”.

Ai tha se duhet të punohet shumë edhe me shkurtimet administrative e burokratike.

“Nëse brendet botërore priten drejtpërdrejtë, investimet do të jenë shumë më të mëdha”.

“Nuk ka brend të madh që nuk e ka vizituar Kosovën, por kanë ikur për t’u mos u kthyer më”.

“Mangësi e Kosovës ka qenë mungesa e lehtësirave dhe mungesa e rendit dhe ligjit”.

“Në Kosovë, po ashtu ka mungesë të kuadrove, dhe duhet të fillojë t’i përshtatet nevojave të tregut”

Kryetari i Odës Ekonomike ka përgënjeshtruar, zërat nga qeveria kosovare se do të ketë rritje ekonomike deri në katër për qind.

“Nuk ka rritej tre e as katër për qind, kjo nuk mund të bëhet, nuk guxojmë të japim statistika të pasakta”

Ai ka folur edhe për takimin e Odës Ekonomike të Kosovës me Kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, duke e cilësuar si një takim të pastër ekonomik dhe shumë domethënës.

“I kam thënë Kryeministri Vuçiq se pamja me kilometra të gjata në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë tregon një pamje të keqe, dhe jep një perceptim të dëmshëm për shtetet tona, kur nëpër këtë rrugë kalojnë gazetarë e diplomatë”.

“Vuçiq ka mbajtur një konferencë për shtyp 15 minuta pasi ka përfunduar takimin me mua dhe ka treguar se do të ndaj fondet për rrugën Nish, Prishtinë, Shqipëri”.

Gërxhaliu pohoi se “viti 2016 pritet të jetë vit i fillimit të projekteve të mëdha, si termocentrali dhe Brezovica”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gerxhaliu-ambienti-per-biznese-po-permiresohet-por-sdo-te-kete-rritje-ekonomike-4-takimi-me-vuciq-ishte-i-frytshem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala