Gecaj: Çmenduri të indikohet se Asociacioni “bosnjizon” Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar të jetë naivitet deri në çmenduri të indikohet se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka “bosnjizuar” Republikën e Kosovës, pasi ka konsideruar se me asnjë dispozitë kjo marrëveshje nuk mund të bllokoj jetën institucionale të shtetit. Është kjo kundërpërgjigje ndaj opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile.

“Përkundër asaj që thuhet, marrëveshja është hartuar duke respektuar në plotni infrastrukturën ekzistuese ligjore të Kosovës, dhe në asnjë pikë nuk parasheh ndryshime ligjore për hir të implementimit të kësaj marrëveshjeje, posaçërisht jo ndryshime kushtetuese, siç pretendojnë disa analistë ‘profesionistë’”, ka shkruar Gecaj në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Koha.net.

“Marrëveshja ka të ndërtuara disa siguresa të cilat garantojnë se e gjithë veprimtaria e asociacionit të ri do të jetë në përputhshmëri të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, e kjo më së miri do të vërtetohet me rastin e përpilimit të statutit i cili do të përcaktoj në detaje detyrat dhe obligimet e asociacionit të ri”.

Postimin e plotë të tij mund ta gjeni në vijim:

Marrëveshja respekton ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës

Ditëve të fundit vërehen mjaft komente “të nxehta” në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel në mes të Kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Serbisë, me 25 gusht, 2015. Çuditë fakti se të dy anët akuzohen ashpër nga pjesë të caktuar e shoqërive të tyre, akuza të cilat ndonjëherë shkojnë aq largët saqë të barazojnë nënshkrimin e marrëveshjes me tradhti ndaj vendit, absurditet ky i llojit te vet.

Nga pala tjetër akuzat nënvizojnë se kjo marrëveshje nënkupton “integrim të plotë të serbëve në sistemin e Kosovës”, e çka vërtetë është edhe qëllimi përfundimtar i këtyre bisedimeve, publikisht i deklaruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtar, ndërsa në mënyrë të heshtur i pranuar edhe nga pala tjetër.

Vëmendjen ta tërheqin posaçërisht analistët “profesionistë”, të cilët në vend se vërtetë të analizojnë anët pozitive dhe apo potencialisht negative të marrëveshjes, ata theksin e vendosin mbi teori hipotetike se Kosova ka pranuar “autonomi territoriale” për serbët e Kosovës dhe apo ka vendosë “pushtet të tretë” me “kompetenca ekzekutive”, e të “kontrolluar nga Beogradi”.

Këto kritika vijnë edhe nga analistë (ish-politikanë) të cilët edhe kanë qenë pjesë e proceseve dialoguese të mëhershme, posaçërisht atyre të Vjenës, dhe të cilët që atëherë janë pajtuar me idenë e krijimit të një asociacionit të tillë të natyrës afirmative. Qeveria e tanishme ka zhvilluar negociata në baza tanimë mirë të themeluara nga proceset e mëhershme, në veçanti diskutimeve të Vjenës dhe marrëveshjes së nënshkruar me 19 prill 2013; marrëveshje kjo e aprovuar në mënyrë demokratike nga mbi dy të tretat e kuvendarëve të Kuvendit të Kosovës, disa prej të cilëve tani të pozicionuar në anën ekstreme të kundërshtimit.

Në negociata diplomatike moderne të gjitha anët nxjerrin përfitime; në rastin konkret përfitimet më të mëdha janë për qytetarët dhe për vetë Republikën e Kosovës, e cila vërtetë nuk humb asgjë nga funksionaliteti i saj, përkundrazi integron qytetarët deri më tani të pa-integruar.

Është vërtetë naivitet deri në çmenduri të indikohet se kjo marrëveshje paska “bosnjizuar” Republikën e Kosovës, derisa me asnjë dispozitë kjo marrëveshje nuk mund të bllokoj jetën institucionale të shtetit tonë. Përkundër asaj që thuhet, marrëveshja është hartuar duke respektuar në plotni infrastrukturën ekzistuese ligjore të Kosovës, dhe në asnjë pikë nuk parasheh ndryshime ligjore për hir të implementimit të kësaj marrëveshjeje, posaçërisht jo ndryshime kushtetuese, siç prentendojnë disa analistë “profesionistë”.

Jam i sigurt se çështja e implementimit të kësaj marrëveshjeje do të jetë po aq e vështirë si edhe implementimi i marrëveshjeve paraprake, por këto çështje do të jenë të natyrës politike e jo të natyrës ligjore. Sfida të natyrës politike me palën Serbe kemi pasur dhe fatkeqësisht besoi se do të kemi edhe për një kohë të caktuar, por kjo nuk do të thotë aspak se problemi është tek marrëveshja.
Marrëveshja ka të ndërtuara disa siguresa të cilat garantojnë se e gjithë veprimtaria e asociacionit të ri do të jetë në përputhshmëri të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, e kjo më së miri do të vërtetohet me rastin e përpilimit të statutit i cili do të përcaktoj në detaje detyrat dhe obligimet e asociacionit të ri.

Kjo marrëveshje, statuti si dhe çfarëdo ndryshimi i statutit në të ardhmen, përveç kontrollit politik (nevojës së aprovimit nga ana e Qeverisë), do të ketë edhe kontrollin e gardianit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë – Gjykatës Kushtetuese – proces ky i cili do të testohet fillimisht ditëve në vijim. Prandaj, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të duhej të shqetësohen nga komentet kryekëput të natyrave të interesave personale apo klanore të ditëve të fundit, por të ndihmojnë dhe përkrahin Qeverinë e Republikës së Kosovës në forcimin dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetësisë së Republikës së Kosovës, shoqëri në të cilën të gjithë qytetarët e saj do të ishin të integruar dhe të barabartë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gecaj-cmenduri-te-indikohet-se-asociacioni-bosnjizon-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala