Gazmend Muhaxheri: Ramush Haradinaj, po bën para me benzinë dhe lojëra të fatit

Autori:Avdyl Pajaziti

Der Standard ka publikuar një bisedë me Kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherin i cili gjithë veprimet e fundit të Ramush Haradinajt në skenën politike i ndërlidh me mungesën e pushtetit. Për më tepër, Muhaxheri akuzon Haradinajn se bashkë me njerëzit e tij është duke bërë para nga benzina dhe lojërat e fatit.

Gazeta Der Standard shkruan se AAK është duke e humbur ndikimin në Dukagjin. Sipas gazetës, viteve të fundit, qyteti kryesor i rajonit, Peja, është bërë më e qetë. Gazeta shkruan se deri më tani Dukagjini ka qenë çerdhe e krimit.

Der Standard, pohon se ish luftëtarët e UCK’së të cilët më vonë e gjetën vetën në AAK e kanë humbur influencën atje.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, në këtë kontekst, thotë se hedhja e gazit dhe bojkoti i seancave parlamentare me pretekstin kundër marrëveshjes me Serbinë, ka të bëjë me mungesë të pushtetit.

“Kush do që nuk është pjesë e Qeverisë, e ka të vështirë të ketë qasje në fonde publike. Lideri i AAK’së dhe njerëzit ende bëjnë para me derivate dhe lojëra fati” citohet Muhaxheri.

Ai ka theksuar se Haradinaj nuk i nevojitet më SHBA’ve, pasi tash vendi ka një koalicion të madh. Sipas Der Standard, Muhaxheri thotë strukturat e vjetra mund të jenë të rrezikshme pasi po i humbin paratë dhe pushtetin.

Der Standard ndërkaq Haradinajn e përshkruan si një nga figurat kyçe të UÇK’së në rajonin e Dukagjinit. Po ashtu përmendet fakti që forcat serbe atij ia kanë vrarë dy vëllezërit. Ndërkohë që aty përshkruhen edhe ballafaqimet ndërmjet dy krahëve, UÇK’së dhe FARK’ut të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës

“ Kanë qenë 5 ose 6 skuadra pushkatimi të ngarkuara për të spastruar” ka thënë Muhaxheri.

Pjesë të këtyre ngatërresave ai e sheh edhe konfliktin ndërmjet familjes Haradinaj dhe Musaj . Ndërkohë që përshkruhet edhe incidenti i vitit 2000 ndërmjet dy familjeve kur Haradinaj ishte plagosur dhe dërguar në kampin Bondsteel për t’u mjekuar.

Pas luftës, shumë njerëz të FARK ishin vrarë, shkruan Der Standard, përfshirë Sinan Musajn, anëtar i familjes Musaj. Sipas gazetës austriake, Daut Haradinaj ishte dënuar në vitin 2002 për këtë vrasje dhe 2 tjera.

Por jo vetëm njerëzit e FARK’ut janë vrarë, por edhe ata që është dashur të dëshmojnë për këto vrasje.

“Tahir Zemaj është dashur të jetë dëshmitar kryesor kundër Daut Haradinaj. Ai, djali i tij Enisi dhe nipi Hyseni janë vrarë në vitin 2003. Pastaj janë vrarë ata që i kanë hetuar këto vrasje. Në vitin 2003, policja Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj ishin vrarë derisa ishin duke shkuar në punë. Ata ishin pjesë e hetimeve dhe njësitit hetues për krime serioze”

“Problemi atëbotë ishte se administrata e OKB’së , UNMIK, ishte e korruptuar. Ata nuk ishin të interesuar për sigurinë e policisë lokale, por vetëm për njerëzit e tyre” ka thënë Muhaxheri.

Më pas, Der Standard shkruan se vrasjet ishin ndalur kur Ramush Haradinaj u bë pjesë e Qeverisë. Po ashtu përmendet edhe vrasja e vëllait Enver Haradinaj si dhe dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit si pasojë aktakuzës së Tribunalit të Hagës.

Der Standard rikujton akuzat ndaj Haradinajt dhe pamundësinë e Gjykatës së Hagës për të gjetur prova, vdekjen e një dëshmitari në rrethana misterioze.

Po ashtu, emri i Haradinajt është përmendur edhe në kontekst të përleshjeve të Kumanovës ndërmjet shqiptarëve dhe policëve të Maqedonisë në muajin maj. Der Standard potencon se dy luftëtarët e vrarë, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, kanë punuar për Haradinajn. Po ashtu, përmendet fotografia e Haradinajt me ata dy dhe fakti që Rizaj ka qenë truproja e tij.

Muhaxheri ndërkaq beson se do të duhen më shumë se 20 vjet që kuadrot e UÇK’së të zhduken nga politika.

“Ata janë të instaluar në shtet” ka thënë Muhaxheri për Standard.

Sipas Der Standard Kuadro të vjetra janë edhe Hashim Thaci e Fatmir Limaj -dikur dorë e djathtë e liderit të PDK’së, që tani e ka partinë e tij, e që po ashtu e ka bojkotuar Parlamentin dhe që di shumë për PDK’në.

Der Standard shkruan se Thaçi është përpjekur viteve të fundit që ti nxjerrë nga partia njerëzit e SHIK’ut por lufta ndërmjet kuadrove të vjetra dhe të reja në PDK është duke vazhduar. Sipas Muhaxherit edhe PDK është duke u përballë me luftë të brendshme për pushtet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gazmend-muhaxheri-ramush-haradinaj-po-ben-para-me-benzine-dhe-lojera-te-fatit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala