Gazetarja shqiptare kërcënohet nga ISIS

Autori:Avdyl Pajaziti

Aurora Koromani, gazetare në Shqipëri, është kërcënuar nëpërmjet një mesazhi në llogarinë e saj personale në “Facebook”, nga një person që nxiste dhe rekrutonte për terrorizëm. Përmbajtja e mesazhit ishte: “Do paguash”.

Menjëherë gazetarja ka bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka marrë të gjithë mbështetjen, si nga drejtori i përgjithshëm Haki Çako, ashtu edhe nga ministri i Brendshëm Tahiri. Edhe Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Unioni i Gazetarëve janë solidarizuar me rastin në fjalë.

Për shkak të profesionit të saj, gazetarja ka marrë mesazhin, nga një person i shpallur në kërkim, e që sipas shoqatave të gazetarëve, duhet të vihet para drejtësisë. Me rastin është solidarizuar edhe Tritan Shehu, i cili e ka konsideruar këtë një lajm i rëndë në media. Ai u kërkon organeve përkatëse të marrin në mbrojtje gazetaren dhe të impenjohen tërësisht për dënimin e keqbërësit. Rastin e kërcënimit të gazetares Aurora Koromani e kanë pasqyruar edhe media të tjera ndërkombëtare, si “New York Time”, “AbcNews” dhe “Associated Press”.

Në artikullin e gazetës “New York Times” raportohet se zëdhënësi i policisë Gentian Mullai deklaroi të enjten se, autoritetet po e trajtonin këtë kërcënim si serioz ndaj Aurora Koromanit, ndërsa po ofronin mbrojtje për të. Koromani ka mbuluar gjerësisht rekrutimin e myslimanëve shqiptarë për të luftuar përkrah Shtetit Islamik në Siri. Sipas gazetës prestigjioze, rreth dy e treta e popullsisë shqiptare prej 3.2 milion banorësh janë të besimit mysliman. Dhjetëra njerëz besohet se i janë bashkuar luftimeve në Siri, pavarësisht thirrjeve të krerëve fetarë që të mos i bashkohen këtij grupi rebel.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gazetarja-shqiptare-kercenohet-nga-isis/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala