Gazetari grek revoltohet para ministrit gjerman: Doni vdekje të ekonomisë tonë

Autori:Avdyl Pajaziti

Nikos Hatzinikolau, një prej gazetarëve dhe prezantuesve më të njohur televiziv në Greqi i kundërvihet ministrit gjerman të financave Volfgang Shoible. Ai i referohet propozimit të kreditorëve që TVSH-ja në sektorin e turizmit të shkojë 23% dhe thotë se kjo është e qëllimshme për të goditur turizmin grek, në mënyrë që të favorizohet Turqia dhe vende të tjera fqinje të Greqisë.

“Është e qartë tashmë se z. Shoible ka kaq shumë përçmim ndaj Greqisë saqë çdo deklaratë e tij për vendin tonë është plot ironi, për të mos përdorur ndonjë fjalë më të rëndë për mënyrën sesi flet për Greqinë. Më bën shumë përshtypje se caktojnë edhe hotelet në 23% (TVSH). Pra janë pozicionuar hapur tashmë kundër turizmit grek. Kërkojnë të favorizojnë turizmin në vendet në veri të Greqisë dhe në Turqinë fqinje e cila ka gjithashtu TVSH shumë të ulët edhe për turizmin edhe për hotelet”- thotë gazetari grek.

Duke vijuar më tej me zemërim ai shtoi: “Le të thonë hapur “nuk duam të shkoni në Greqi, nuk duam të bleni ilaçe greke, nuk duam të shkoni në hotelet greke, nuk duam të hani në restorante greke, nuk duam të ringrihet ekonomia juaj. Përse nuk na e thonë hapur se kanë vendosur që në vitet në vazhdim të na mbajnë të lidhur me borxhet dhe me Trojkën? Të mos ekzistojë asnjë lloj rritje apo autonomi ekonomike në këtë vend. Le ta thonë hapur. Besoj se të gjitha këto janë një vdekje e ngadaltë dhe torturuese e ekonomisë dhe kjo sjellje nuk ka vend në Evropë. Kjo sjellje s’ka të bëjë fare me Evropën që ëndërruam në vitet ’70 dhe ’80”- nënvizoi Hatzinikolau.

Më tej gazetari hedh dyshime se pas refuzimit të Trojkës për rritjen e taksimit të lojërave të fatit, fshihen interesa të vendeve të tjera.

“Në lojrat e fatit përse nuk e rritin taksimin? Përse e refuzojnë këtë masë që u propozon qeveria greke? Mos ndoshta sepse disa prej këtyre vendeve kanë interesa në lojrat e fatit në Greqi?

Dhe kam edhe një pyetje për të bërë: Në ç’mënyrë ndërhyjnë qytetarët e vendeve anëtare në Evropë? Zgjedhjet a luajnë ndonjë rol? Ajo çfarë vendosin qytetarët në zgjedhje, a luan ndonjë rol në këtë Evropë? Përse zgjedhim qeveri? Mos ndoshta duhet të caktojnë guvernatorë (vendet e qendrës) nëpër vendet anëtare (të periferisë)? Diçka e ngjashme po ndodh në Evropën e sotme dhe është tejet dëshpëruese”- përfundon gazetari i njohur grek.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gazetari-grek-revoltohet-para-ministrit-gjerman-doni-vdekje-te-ekonomise-tone/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala