Gazetarët kërkojnë siguri

Autori:Gazeta Fjala

Seancat e fundit në Kuvendin e Kosovës, të shoqëruara me gaz lotsjellës dhe protesta jashtë saj, të cilat kanë rezultuar të dhunshme, po shihen si kërcënim për sigurinë e gazetarëve.
Ka ndodhur gjatë tri seancave të fundit që gazetarët të jenë alivanosur, e madje të kenë pasur telashe shëndetësore derisa po raportonin nga Kuvendi.
Për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e punës së tyre, ka folur për KosovaPress Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, sipas së cilit gazetarët vazhdimisht në raportimet prej turmave ku edhe mund të përdoret dhunë apo edhe hedhja e gurëve e gazit lotsjellës, janë të rrezikuar.
“Gazetarët jo vetëm në protestën e fundit por vazhdimisht sidomos në raportimet prej turmave dhe zhvillimeve ku përdoret dhunë ose ku përdoret si e kemi parë edhe gurë dhe gazë lotsjellës, gazetarët janë në mesin e këtij rreziku, qoftë prej protestuesve, qoftë prej policisë ose forcave të rendit dhe ne si asociacion e kemi ngrit si shqetësim këtë çështje, pasi që gazetarët shpeshherë janë të pa pajisur me shenja identifikuese dhe gjenden në mes të turmës dhe si protestuesit, si policia e kanë shumë të vështirë t’i identifikojnë dhe ata pësojnë prej të dyja palëve”, tha Shabani.
Shabani theksoi se për organizatën që mbron të drejtat dhe është zëri i gazetarëve mbetet shqetësuese mos pajisja adekuate e gazetarëve, mediet e të cilëve janë të obliguara me ligj që të sigurojnë për punëtorët e tyre gazetarë shenja identifikuese.
Ai vlerëson se policia ka për obligim të sigurojë gazetarët që të jenë të mbrojtur dhe kërkoi që t’u sigurohet hapësirë e nevojshme për raportim normal.
“Protestën e fundit nga përdorimi g azit lotsjellës kanë pësuar kolegët gazetarët, kemi pas gazetarë të alivanosur të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe kjo ka qenë shqetësuese pasi që është hedh gazi lotsjellës, është shumë normale, por do të duhej të kishte kujdes jo vetëm prej gazetarëve por edhe prej administratës së Kuvendit e cila duhet të siguroj hapësirë që gazetarët ose të largohen më shpejtë prej vendit ku kanë qenë duke raportuar, pasi që ne e dimë që hapësira ku kanë raportuar është shumë e ngushtë dhe ekziston një rrezik që gazetarët me pësuar edhe derisa largohen prej hapësirës lart”, tha Shabani.
Mirëpo, problemi këtu sipasZekës nuk qëndron vetëm tek organet e rendit pasi që sipas tij nuk ka trajtime të mjaftueshme për gazetarë që të raportojnë nga vendet ku zhvillohen protesta dhe ku shfaqet dhunë, për çka kërkoi një vëmendje më të theksuar të mediumeve në këtë drejtim.
Dardan Hoti, gazetar nga Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress,i cili ka raportuar nga protestat kur ishte ndaluar Albin Kurti,derisa po kthehej nga Maqedoni, si dhe nga protesta e fundit e së datës 23 tetor, tha se dy protestat kanë qenë të rrezikshme.Derisa në vendet e tjera evropiane por edhe në rajon, në situata të ngjashme si protestat e fundit, shteti përkujdeset për lehtësimin e gazetarëve duke iu ofruar mjete mbrojtëse për të raportuar, një praktik të tillë, Hoti thotë se nuk e ka hasur në Kosovë.
“Të dyja kanë qenë të rrezikshme sidomos për ne gazetarët, ku nuk kemi kurrfarë mbrojtje dhe jemi thjeshtë të veshur si civil, si qytetarë të thjeshtë përveç bexhave të punës që kemi dhe që i përdorim kur dalim në protesta. Ne i kemi parë raste në Evropë, nëpër botë, por hiç me larg kemi raste ed he në rajon, Malin e Zi, ku vet Ministria e Punëve të Brendshme ka siguruar lloj të jelekëve anti-plumb për shkak të rrezikshmërisë që ata munden me pas në protesta. Këtu tek ne nuk kemi parë ende një gjë të tillë, përveç disa jelekëve të thjeshtë shumë të hollë që shkruan thjeshtë PRESS por ato duhet t’i sigurojnë vet gazetarët ose redaksitë”, tha Hoti.
Ai pati edhe një kërkesë drejtuar medieve dhe pronarëve të tyre, që të kenë kujdes më të shtuar sidomos për gazetarët që marrin pjesë në protesta, pasi që sipas tij gazetarët në Kosovë kanë paga të vogla për të mbuluar shpenzimet e sigurimit të pajisjeve të nevojshme të sigurisë kur raportojnë nga protestat dhe ngjarjet ku eventualisht mund të ushtrohet dhunë.
“Redaksitë vetë, pronarët e mediave duhet të interesohen më shumë me pas vëmendje tek protestat për punëtorët e tyre, me iu siguruar së paku, sepse ne e dimë si është gjendja e gazetarëve dhe dimë se sa rrogë kanë gazetarët dhe e dimë që nuk munden me siguruar vet por vet redaksisë, së paku atyre gazetarëve që përcjellin protesta të ua sigurojnë nga një jelek dhe nga një gazë maskë, sepse kemi parë kohëve të fundit që edhe brenda vet Kuvendit jemi të rrezikuarprej gazit lotsjellës që kanë gjuajtur deputetët e Kuvendit të Kosovës e lëre më në protesta jashtë Kuvendit”, tha Hoti.
E kontaktuar nga KosovaPress, Zyra për Informimin në Ministrinë e Punëve të Brendshme për atë se çfarë mund të bëj shteti në ofrimin e kushteve më të mira për sigurinë e gazetarëve në këso lloj raportimesh, nuk kanë pranuar të përgjigjen me arsyetim se të gjitha pyetjet për këtë çështje duhet të drejtohen në Policinë e Kosovës.
Ndërsa, në përgjigjen e d ërguar me shkrim Policia e Kosovës thuhet se ky institucion vazhdimisht ka kërkuar nga gazetarët që të jenë të pajisur me shenja identifikuese, me qëllim që më pastaj policia të ofroj mbrojtje dhe siguri për ta.
“Policia e Kosovës në vitet e mëhershme ka pasur takime, trajnime por edhe konferenca të përbashkëta me gazetar te të gjitha mediumeve në mënyrë që ata të njoftohen me punën policore dhe shmangien nga rreziku në raste kur kemi të bëjmë me protesta apo raste siç keni përmendur në kërkesën tuaj”, është thënë në përgjigjen me shkrim nga kjo ZIP.
Në po këtë përgjigje, PK thotë se ky institucion nuk e ka për obligim të furnizoj gazetarët me jelek anti- plumb apo shenja dalluese me mbi shkrimin PRESS, pasi që policia posedon jelek anti -plumb vetëm për zyrtarë policor”.
Kujtojmë se në tri seancat e fundit kur edhe është përdorur gaz lotsjellës nga opozita për të parandaluar mbajtjen e tyre, gazetarët, kameramanët, fotoreporterët e pjesëtarë të tjerë të medieve vazhdimisht i janë ekspozuar rrezikut që shkaktohet nga ky gaz.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gazetaret-kerkojne-siguri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala