Gashit e Mustafës nuk mund t’u merret imuniteti

Autori:Gazeta Fjala

Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa kanë vuajtur pjesën e dënimit obligativ kushtetues 2/3 e kohës së mbajtjes së dënimit. Ata tash kanë paralajmëruar se do t’i shfrytëzojnë mjetet e jashtëzakonshme ligjore në Gjykatën Supreme dhe do të aplikojnë për lirim me kusht në Panelin për Lirim me Kusht, për pjesën e mbetur të dënimit.

Rrjedhimisht, për pjesën e mbetur të dënimit s’mund t’iu merret mandati ngase Rregullorja thotë se deputetit i humbë mandati vetëm nëse dënohet me më shumë se një vit burgim por aty askund s’përmendet se deputeti e humb mandatin për pjesën e mbetur të dënimit që ka të drejtë të aplikojë me lirim me kusht.

Deputeti i PDK-së, Latif Gashi, ka thënë se deputetët kanë mandat dhe për një çështje të tillë vendos vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe organet tjera përkatëse.

Gashi ka komentuar edhe procesin gjyqësor ndaj tij duke thënë se çfarëdo vendimi që të marrin institucionet do t’i respektojë.

“Mandatin e kemi marrë nga qytetarët. Njëkohësisht, kemi qenë të përgjegjshëm para shtetit ligjor dhe do të jemi të përgjegjshëm prapë. Qe 14 vjet jemi në shërbim të shtetit ligjor, drejtësisë dhe do të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona. Arsyeja, pse ne jemi duke u konsultuar për mbajtjen e mandatit është ngase të gjitha obligimet ligjore që janë kërkuar nga Shteti deri më tash ne i kemi kryer”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbajtja e 2/3 të dënimit, Ligji ia mundëson të dënuarit të lirohet me kusht.

“Pra, kemi mbajtur më tepër se 2/3 e një vendimi gjyqësor, askund, në Kushtetutë, në ligj, dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, nuk shkruan se deputeti e humbë mandatin për pjesën e mbetur të një dënimi që mund ta aplikojë lirim me kusht”, ka deklaruar ai.

Sidoqoftë, dy deputetët Gashi e Mustafa kanë treguar se vendimi i tyre do të jetë, jo në kundërshtim, por në të mirë të Shtetit të Kosovës.

“Ne jemi në konsultim e sipër me gjithë faktorët relevantë dhe do të marrim vendim ashtu siç është më së miri për Shtetin tonë, në mënyrë që ne mos të jemi, në asnjë mënyrë, pengesë e zhvillimeve të proceseve që kanë të bëjnë me Kosovën. Ngase, ne tani e 14 vite kemi plotësuar standarde për Kosovën. Edhe tani jemi në dispozicion të sakrifikohemi qoftë me dorëheqje, qoftë me vuajtjen e pjesës tjetër të dënimit, qoftë për çfarëdo kërkohet të çohen përpara integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe zhvillimi i vendit”, ka shtuar ai.

Gjykimi ndaj “Grupit të Llapit” kishte nisur në vitin 2002 dhe ka zgjatur deri në vitin 2015. Pra, ata për më shumë se 13 vjet janë përballur me drejtësinë.

Me Konventat ndërkombëtare, një personi i shkelet e drejta për barazi para ligjit, nëse procesi ndaj tij zgjatë më shumë se 7 vite. Ndërkohë, si Gashi, ashtu edhe Mustafa e Nazif Mehmeti iu ka zgjatur procesi gjyqësor afër 14 viteve.

Pavarësisht kësaj, në vendimet që kanë nxjerrë panelet e gjyqtarëve ndërkombëtar, përmendet se Gashi e Mustafa kanë respektuar rregullat si në paraburgim ashtu edhe në liri.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gashit-e-mustafes-nuk-mund-tu-merret-imuniteti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala