Garë e nxehtë në LDK

Autori:Zekirja Shabani

Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani, janë dy kandidatët që publikisht kanë konfirmuar se me 31 maj do ti masin forcat në garën për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq si pretendent potencial përmenden edhe ish- kryetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe nënkryetari aktual i partisë, Lutfi Haziri.

Analistët politikë zgjedhjet në LDK po i cilësojnë si një zhvillim demokratik që i lë prapa partitë tjera, te të cilat kryetari kryesisht zgjidhet pa konkurrencë dhe me aklamacion.

Artan Muhaxhiri, analist politik, thotë se në LDK gara e fortë për kreun e partisë ka nisur qysh me zgjedhjet e fundit kur kishte një beteje politike mes Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës.

“Dihet se Mustafa është një garantues i disa proceseve të rëndësishme nëpër të cilat do të kalojë Kosova, ku bën pjesë edhe Gjykata Speciale për Krime Lufte. Prandaj besoj që edhe përkrahja ndërkombëtare është në anën e tij ka thënë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Një fitore eventuale e Vjosa Osmanit në kreun e LDK-së, sipas Artan Muhaxhirit, do të nënkuptonte që LDK t’i nënshtrohej një reforme më të thellë, duke e përfshirë edhe shqyrtimin e nismës së saj që kjo parti politike të braktisë koalicionin aktual me Partinë Demokratike të Kosovës.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se vendimmarrja në LDK, në këtë rast do të kalonte përmes strukturave të partisë, dhe jo përmes një vendimi të kryetarit apo edhe kryetares së ardhshme.

“Nëse do të jetë Vjosa Osmani kryetare dhe në këtë rast edhe premtimi i saj se do ta prishte koalicionin me PDK-në, ajo duhet ta marrë së pari bekimin nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”.

Ai thotë se kushdo që do të përballej me Mustafën në këtë fazë, duhet ta ketë parasysh se po ballafaqohet në garë me kryeministrin e Kosovës dhe kjo e vë në një pozitë, të paktën politikisht, jo të barabartë.

Sipas statutit të LDK-së, në kuvendin zgjedhor kandidatët fillimisht shpalosin programet e tyre. Por, për të marrë edhe zyrtarisht kandidimin për postin e kryetarit të partisë, kandidatët duhet të sigurojnë 51 për qind të votave të delegatëve të Kuvendit. Vetëm ata që sigurojnë këtë kuotë, më pas do të mund të ballafaqohen në garën e drejtpërdrejtë për kryetarin e ri të LDK-së për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/gare-e-nxehte-ne-ldk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala