Garancia për privatizimin kthen Listën Serbe

Lista Serbe i ka dhënë fund bojkotit të institucioneve të Kosovës.
Rikthimin, që është kushtëzuar me disa veprime që duhet ndërmarrë, e ka kumtuar ky subjekt politik, por edhe Qeveria e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Zhvillimi është pasuar edhe me një vendim që kryeministri Isa Mustafa e ka firmosur të premten. Ai e ka emëruar Dalibor Jevtiqin në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Jevtiq e pason Aleksandër Jablanoviqin, i cili në fund të janarit është shkarkuar nga posti ministror pas protestave të dhunshme që nxiti një deklaratë e tij kundër nënave të të zhdukurve të Gjakovës. Pas shkarkimit, edhe ministrat dhe deputetët e Listës Serbe lëshuan institucionet.
Nëpërmjet një komunikate shtypi, Qeveria ka konfirmuar këtë emërim dhe ka theksuar se “Lista Serbe ka njoftuar kryeministrin se do të kthehet aktivisht në Parlament dhe në Qeveri nga data 27 prill 2015”.