GAP kërkon largimin e politikës nga PTK

Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka kërkuar anulimin e vendimit të Bordit për përzgjdhjen e Agron Mustafës si kryeshef ekzekutiv dhe i rekomandoj Qeverisë shkarkimin e Bordit të PTK.
Reagimi i plotë ndaj emërimit të Kryeshefit Ekzekutiv të PTK:
Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), shprehin kundërshtimin lidhur me papërgjegjshmërinë e vazhdueshme të Bordit të ndërmarrjes publike Post Telekomi i Kosovës (PTK). Sipas tyre në vazhdën e kësaj papërgjegjshmërie është edhe vendimi i fundit për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeve.
Tani e disa vite performanca e PTK është duke shënuar rënie. Arsyet për këtë janë papërgjegjshmëria e Qeverisë së Kosovës, e cila paralizoi zhvillimin e kësaj ndërmarrjeve në një proces të stërzgjatur dhe të dështuar privatizimi kur edhe u stopuan investimet në zgjerim të PTK; si dhe, paaftësia e Bordit të PTK për të mbikëqyrur dhe avancuar këtë ndërmarrje.
Bordi i PTK, i cili kryesohet nga personi i njëjtë që nga 2008, është përgjegjësi kryesor për degradimin e kësaj ndërmarrjeje. Gjatë emërimit të Kryeshefit Ekezekutiv të PTK, Bordi në mënyrë jo etike, ka shfrytëzuar zbrazëtirat ligjore në Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Përzgjedhja e një anëtari të Kryesisë së Degës së PDK në Prishtinë si Kryeshef Ekzekutiv të PTK-së , është vazhdimësi e vendimeve politike dhe jo profesionale të Bordit të PTK, vendim i cili vetëm se e vazhdon ndikimin partiak në menaxhimin e PTK-së dhe vazhdimin e degradimit të kësaj ndërmarrjeje.
Bordi i PTK disa herë është vlerësuar negativisht në Raportet e Performancës së Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike. Në raportin e vitit 2012 thuhet se:
“Nga procesverbalet e mbledhjeve të Bordit, vërehet se vazhdimisht ngrihen të njëjtat çështje, si p.sh problemet mbi menaxhimin e prokurimeve, apo problemet me projektin e automatizimit të sporteleve dhe bordi kurrnjëherë nuk kërkon llogari dhe nuk merr masa ndaj menaxhmentit.
Bordi miratoi në dhjetor të vitit 2012 vendimin kundërligjor mbi bonuset ,të cilin Aksionari e anuloi, injoroi kërkesat e NJPMNP mbi anulimin e komiteteve të përkohshme joaktive dhe kur kësaj i shtojmë edhe shumë vendime të OSHP-së mbi anulimin e prokurimeve të PTK-së, për të cilat bordi asnjëherë nuk i shqyrtoi, atëherë nuk ka se si ky bord të vlerësohet pozitivisht.”
Përkundër këtij vlerësimi negativ, Qeveria e Kosovës rizgjodh dy anëtarët të këtij Bordi, ndër ta edhe kryesuesin e Bordit. Duke parë në vazhdimësi sjelljen e papërgjegjshme të Bordit të PTK, duke u bazuar edhe në vlerësimet negative të performancës së Bordit të PTK, kërkojmë nga:
- Komisioni i Ministrave për Ndërmarrjet Publike, i themeluar me vendim të Qeverisë , dhe i përbërë nga ministri i MZHE z.Blerand Stavileci (PDK) – Kryesues, ministri i MF z.Avdullah Hoti (LDK), ministrja e MTI znj.Hikmete Bajrami (LDK), ministri i MI z.Lutfi Zharku (LDK) dhe ministri i MMPH z.Ferid Agani (PDK/PD), duhet të anuloj vendimin e Bordit dhe ti rekomandoj Qeverisë shkarkimin e Bordit. Në këtë rekomandim duhet të asistohet edhe nga Njësia për Monitorimin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike, e cila në disa raporte ka vlerësuar negativisht performancën e Bordit.
- Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, duhet të ndryshoj nenin 17.2 të Ligjit aktual për NP, i cili lejon mundësinë e emërimit të personave partiak si Kryeshefa të NP-ve.
- Qeveria e Kosovës duhet të siguroj proces transparent në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të NP, pas konkursit të shpallur ditë më parë.
Emërimi i një Bordi të ri, profesional dhe i pa ndikuar nga politika, duhet të përzgjedh një menaxhment profesional, duke shikuar edhe mundësinë e një konkursi ndërkombëtarë, me qëllim të ngritjes së performancës dhe menaxhimit më të mirë të ndërmarrjes më profitabile në Kosovën e pasluftës.