Furgoni aksidentohet me traktor, lëndohen 12 nxënës dhe 4 mësimdhënës

Autori:Avdyl Pajaziti

Një aksident komunikacioni ka ndodhur afër shkollës së fshatit Tërstenë të Mitrovicës, ku për pasojë janë lënduar 17 persona.

Aksidenti ka ndodhur në mes të furgonit, i cili i transportonte nxënësit për në shkollën e Rashanit dhe një traktori raporton Veriu.info.

Drejtori i Shkollës së Rashanit, Rrahman Sefedini, në një prononcim për Veriu.info e ka konfirmuar rastin, duke treguar se 12 nxënës dhe dy mësimdhënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e aksidentit.

“Aksidenti ka ndodhur në kryqëzimin e rrugës në mes fshatrave Tërstenë dhe Rashan, ku si pasojë e tij ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës kanë kërkuar dy mësimdhënës, një nxënës dhe traktoristi. Nxënësit kanë qenë duke udhëtuar me furgonin e kompanisë e cila është e kontraktuar nga komuna për transportimin e nxënësve, ku në momentin e aksidentit në furgon kanë qenë 12 nxënës dhe 10 mësimdhënës, ndërsa 11 nxënës dhe 2 mësimdhënës kanë kërkuar trajtim mjekësor në ambulanten e fshatit”, ka treguar drejtori Sefedini.

Edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, e ka konfirmuar aksidentin, duke thënë se policia ka evidentuar katër persona me lëndime të lehta, të cilët janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës, ku tre janë të moshës madhe dhe një vajzë e re.

“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8:30, ndërsa dyshohet se fajtor për aksidentin ka qenë furgoni”, ka thënë Zahiti për Veriu.info.
Veriu.info mëson se komuna ka kontraktuar kompaninë “Unioni”, për t’i transportuar nxënësit për në shkollën e Rashanit.

Mirëpo, është e ndaluar që nxënësit të transportohen me furgon, sepse ata sipas kontratës dhe legjislacionit në fuqi duhet të transportohen me autobus.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/furgoni-aksidentohet-me-traktor-lendohen-12-nxenes-dhe-4-mesimdhenes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala