Fundi i AKP-së

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të dërgojë në Kuvend ligjin, i cili parasheh mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe përmbylljen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Ai ka thënë se ky ligj do të përcaktojë kohën se kur do të përfundojë procesi i privatizimit.
“Ky ligj do të përcaktojë një afat kohor 2-vjeçar apo 3-vjeçar, për aq sa do të jetë e nevojshme, por do ta dimë saktë vitin se kur do të mbyllet AKP-ja. Ato ndërmarrje që janë në privatizim, duhet të privatizohen, e ato që nuk ka interesim t’i privatizojë dikush, duhet të shkojnë në proces të rregullt të likuidimit”, ka bërë të ditur Hoti.
Sipas tij, mjetet që janë mbledhur në fondin e privatizimit duhet të lirohen pas përfundimit të këtyre proceseve dhe të përdoren për strategjinë zhvillimore të Kosovës, strategji kjo që paraqet zhvillimin ekonomik të vendit.
Hoti ka theksuar se Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme duhet të jetë të jetë shumë më efikase për të trajtuar kërkesat e kreditorëve potencialë ndaj atyre ndërmarrjeve që janë privatizuar, ose që janë në proces të privatizimit.
“Derisa nuk pastrohet kjo çështje, është vështirë të përdoren këto fonde”, ka theksuar Hoti.