FSK nuk do të ketë helikopterë as vitin e ardhshëm

Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin për 2016-ën, duke proklamuar se prioritet i saj do të jetë ndërtimi i forcave ushtarake.
17.5 milionë euro kjo qeveri ka ndarë për shpenzime kapitale, për ushtrinë e ardhshme të Kosovës, apo rreth 2 milionë me pak sesa është paraparë buxheti për paga dhe mëditje për FSK-në.
Kjo forcë do të ketë saktësisht 1,2 milion euro buxhet më shumë sesa vitin e kaluar apo në total 45,1 milionë euro.
Por, në këtë projektbuxhet të miratuar në Qeverinë e Kosovës nuk shihet ndonjë kapacitet shtesë në pajisjet ushtarake për FSK-në.
Përjashto autoblindat, për të cilat 3.3 milionë euro kanë qenë të ndara edhe në buxhetin e vitit 2015, para të cilat janë transferuar këtë vit dhe pritet të blihen, nuk shihet ndonjë ndryshim i madh.
Në fakt, ajo çka do të jetë projekt i ri për FSK-në gjithmonë sipas projektbuxhetit të 2016-ës janë blerja e Simulatorit Konstruktiv që parashihet të kushtojë 450 mijë euro, 100 mijë euro për Autorobotin për Deminim dhe disa renovime të objekteve e kazermave të FSK-së
Për njohësit e çështjeve të sigurisë, i gjithë ndërtimi i FAK-ut do të ndodhë vetëm pas rishqyrtimit të Sektorit të Sigurisë dhe sipas tyre, vetëm atëherë do të mund të caktohet kostoja e ndërtimit të ushtrisë.
Është paraparë që në vitin e parë FAK-ut t’i ndahen rreth 60 milionë euro.
Por, as këtë vit forca nuk do të mund të blejë helikopterë, për shkak të buxhetit dhe kufizimeve politike.
E megjithatë, 3 pilotët e parë të saj dhe një inxhinier i makinerisë ushtarake janë duke u shkolluar në akademinë ushtarake të Turqisë dhe Ioëas që nga 2012.
Për këtë, fajtor thuhet të jetë një moskoordinim institucional dhe mungesa e vullneti nga të dyja palët.
Sidoqoftë Kosova ka më shumë se dy vjet që ka hartuar edhe një projektligj për ndryshimin e rreth 40 ligjeve aktuale që i hapin rrugë një gjëje të tillë.
Por puna ka ngecur në Kuvend, pasi për t’u votuar ndryshimet për FSK-në është e domosdoshme vota e deputetëve serbë.