FSK mund të mbetet pa eksplozivë

FSK rrezikon të mbetet pa eksplozivë, i cili mund t’i duhet për detyra të ndryshme.
Forcës së sigurisë i ka dështuar një tender për furnizim me materiale shperthyese, pasi asnjë firmë nuk ka shfaqur interes për të ofruar dicka të tillë.
Për pasojë, tenderi, i shpallur me 7 prill, është anuluar më 29 prill.
Zëdhënësi i ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala ka pranuar për Klan Kosova se nuk aplikoi askush në këtë tender. Ai, megjithatë, tha se kjo nuk ndodhi për shkak të procedurave, pasi ato, sipas tij, ishin respektuar në plotni, sipas ligjit.
“Nga përvoja e prokurimit, në tender me specifika të tilla, shpesh kemi hasur në raste kur s’ka pas asnjë ofertues, ose zakonisht kemi pasur një ose dy aplikues. Ka ndodh në disa raste të mos ketë asnjë”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se në muhabete me përfaqësuesit e kompanive që merren me këtë biznes, është mësuar se ato përballen me probleme të natyrës burokratike për funzim me materiale eksplozive nga jashtë, të cilat e bëjnë joprofitabil aplikimin nëpër tenderë të ngjashëm.