FSK-ja përfundoi me sukses operacionet e deminimit për vitin 2015

Autori:Avdyl Pajaziti

Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht Kompania e Deminimit(KD) e Regjimentit të Mbrojtjes Civile(RMC) të Brigadës Mbështetje Operacionale (BMO), me datë 27 nëntor 2015, ka përfunduar me sukses sezonin e deminimit humanitar dhe të pastrimit të fushëbetejave, sipas planit të veprimit, pa asnjë incident.

Sipas raportit të Qendrës Koordinuese për Deminim në Ministrinë për Forcën e sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga 1 prilli dhe deri më 27 nëntor, kanë qenë të angazhuar çdo ditë pune në terren, dhe sipas prioritetit kanë punuar pandërprerë në këto lokacione: Seçishtë, Ferizaj, “Parku Liria”-Ferizaj, Luzhnicë, Zagerm dhe Gorancë.

Gjatë tërë kësaj periudhe tetë mujore, pjesëtarët e Kompanisë së deminimit nuk kanë pësuar asnjë lëndim as edhe nuk kanë pësuar as një incident, kjo tregon për shkallën e lartë të përgatitjes morale, fizike dhe profesionale të deminierëve tanë.

“Me punë profesionale, përkushtim dhe disiplinë maksimale, deminierët e FSK-së kanë arritur që këtë vit të 282 mijë e 985(282,985) metër katror dhe ka demoluar 440 mjete eksplozive të pashpërthyera, përfshirë këtu sipërfaqe të çminuara, pra deminim humanitar (mina të vendosura nga dora e njeriut), si dhe pastrim të fushëbetejave (sipërfaqe dhe hapësira të bombarduara nga ajri)”.

Përpos deminimit humanitar dhe pastrimit të fushëbetejave, Kompania e deminimit ka edhe Njësitë për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), të cilat gjatë këtij viti deri më tani kanë intervenuar sipas thirrjes në 301 raste si dhe kanë demoluar 441 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera.

Vlen të theksohet se Ekipet e EOD-së kujdestarojnë vazhdimisht për 24 orë në ditë, gjatë 7 ditëve të javës, për gjatë gjithë vitit në dy kazerma të FSK-së në Prizren dhe në Pomozoton si dhe aktivizohen për veprim sipas thirrjes së Policisë së Kosovës.

Me përfundimin e sezonit së deminimit humanitar dhe pastrimit të fushëbetejave, Kompania e Deminimit sipas planit, zhvillon trajnime rifreskuese profesionale për pjesëtarët e saj, pra për deminierët në mënyrë që ata të mbajnë dhe zhvillojnë edhe me tutje përgatitjen profesionale të tyre për punë në terren duke ditur se është punë mjaft delikate dhe me përgjegjësi.

Gjithashtu, Kompania e deminimit gjatë sezonit dimëror zhvillon aksione vetëdijesime me ligjërata në shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës me qëllim vetëdijesimin e të rinjve për rrezikun nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fsk-ja-perfundoi-me-sukses-operacionet-e-deminimit-per-vitin-2015/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala