FSK dhuroi 705 doza gjak për qytetarët e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Të premten, përfundoi aksioni humanitar për dhurimin e gjakut, i cili u realizua nga data 1 – 12 shkurt 2016, në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe në të gjitha njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me moton ”Një pikë gjak për shpëtimin e një jete”.

Aksioni u organizua nga Departamenti për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak dhe Departamenti i Mjekësisë i MFSK-së dhe u realizua nga QKTGJK dhe Kompania e Mjekësisë e FSK-së.

Ministria dhe FSK-ja kanë traditë në organizimin e dhurimit humanitar të gjakut. Vetëm gjatë aksionit të parë, për këtë vit, janë mbledhur mbi 700 doza gjak, të cilat do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të cilët kanë nevojë për të.

Pjesëtarët e FSK-së, me këtë aksion kanë dhënë shembullin më mirë në ndihmë të qytetarëve, i cili padyshim ka ndikuar edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t’iu përgjigjur aksioneve të ndryshme humanitare dhe iniciativave të tilla siç ishte edhe kjo.

Dr. Bahrije Halili-Gjocaj, udhëheqësja e këtij aksioni humanitar u shpreh se pjesëtarët e FSK-së janë shembull për dhurimin vullnetar të gjakut. Ata janë donatorë të rregullt që gjithherë me vullnet i janë përgjigjur këtij aksioni, jo vetëm gjatë organizimeve të rregullta por edhe jashtë tyre, u shpreh në fund dr. Bahrija.

Ndërsa, drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në MFSK, z. Harjush Kurtaj, falënderoi pjesëtarët e FSK-së për gatishmërinë e treguar gjatë këtij aksioni, si dhe për gatishmërinë e vazhdueshme që edhe në këtë mënyrë, pra duke dhuruar gjakun e tyre, të i’u dalin në ndihmë qytetarëve të Kosovës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fsk-dhuroi-705-doza-gjak-per-qytetaret-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala