Fshatrat e Prishtinës me mungesë transporti publik

Autori:Gazeta Fjala

Që nga paslufta, pothuajse asnjë qendër e madhe komunale nuk ka arritur ta zgjidhë problemin e transportit urban të udhëtarëve.

Edhe pse vetëm 5 kilometra në periferi të Kryeqytetit, fshatrat Bernicë e Eperme dhe Bernicë e Poshtme, përballen me mungesën e transportit urban, banoret thonë së detyrohen të udhetojnë me autobus 3B, i cili ka linjën deri në Bardhosh, por që sipas tyre u bie të ecin diku më shumë se një kilometer në këmbë.

Gubetini e cila banon në fshatin “Bernicë e Poshtme”, për “Zërin” ka thënë së Komuna u kishte premtuar se në atë pjesë do të lëshonte linja të autobusëve çdo 15 minuta, por që, sipas saj, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ajo thotë se duhet të ecë me shumë se 15 minuta në këmbë.

“Në Bernicë të Poshtme, nuk ka linjë të autobusëve edhe na duhet me udhëtu me autobus 3B, i cili shkon deri në Bardhosh, neve na len shumë larg edhe na bie me ec me këmbë ma shumë se 15 minuta. Komuna vitin e kaluar na pati premtuar se ka me lëshu autobus çdo 15 minuta, po nuk kanë lëshu, edhe na po detyrohemi gjysmën e rrugës me pagu gjysmën me ec me këmbë”, ka thënë Gubetini.

Ndërsa E.R. banore në fshatin “Bernicë e Epërme” thotë së deri në lagjen ku banon është vetëm një minibus i vogël, por ai është vetëm çdo tre orë. Ajo udhëton me autobus 3B por i bie të ecë më këmbë më shumë se 15 minuta.

“Banojmë në fshatin Bernicë e Epërme edhe këtej nuk ka linjë të rregullt të autobusëve, është vetëm një minibus i vogël, por ai është vetëm çdo tre orë edhe nuk po kemi gjithë mundësi me e prit, për shkak se me duhet me shku në fakultet edhe shpesh i humbi ligjëratat, na udhëtojmë me autobusin 3B i cili shkon në Bardhosh, por neve na len shumë larg edhe na bie diku më shumë se 15 minuta me ec me këmbë”, ka thënë Rexhepi.

A.Bllaca ka thënë se ajo udhëton me autobusë, të cilët shkojnë drejt qytetit të Podujevës, edhe pse i duhet të paguajë më shtrenjtë, por që, sipas saj, nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Shpesh udhëtoj me autobusë të cilët shkojnë në qytetin e Podujevës, për shkak se nuk ka autobus deri këtu ku banojmë, në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’, në hyrje të Prishtinës, edhe bileta kushton 50 centë, e që me autobusë të 3B që shkon deri në Bardhosh është 40 centë. Po na duhet me udhëtu me këta autobusë pasi nuk kemi tjetër zgjidhje, sepse nuk ka linja tjera”, ka thënë Bllaca.

E se kur do të lëshohen linjat e autobusëve në këto pjesë, si dhe kur do të lëshohen në funksion 51 autobusët, për të cilët Komuna e Prishtinës në bashkëpunime më Bankën Evropiane kohë më parë kishin nënshkruar marrëveshje për blerjen e këtyre autobusëve, Komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur.E vetmja përgjigje e tyre ishte se projekti i “Trafikut Urban” përveç blerjes së autobusëve të rinj përfshin edhe ristrukturimin e linjave të qytetit.

“Projekti i Trafikut Urban përveç blerjes së autobusëve të rinj përfshin edhe ristrukturimin e linjave të qytetit, si dhe planin e mobilitetit. Si i tillë ky projekt parasheh që çdo cep i Komunës së Prishtinës të mbulohet dhe të ketë shërbimin efikas të transportit”.

Riorganizimi i trafikut urban në Komunë të Prishtinës ishte proklamuar që nga viti 2009, por prej atëherë nuk ka ndryshuar asgjë. /Zëri/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fshatrat-e-prishtines-me-mungese-transporti-publik/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala