Frikë për përleshje në mes deputetëve në seancë

Autori:Avdyl Pajaziti

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për ditën e premte, ka rrezik që të shndërrohet në një arenë përleshjesh në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bashkë me anëtarët e Kryesisë, pavarësisht kërcënimit të opozitës se do të përdorë të gjitha mjetet për ta pamundësuar vazhdimin e punimeve, ka vendosur që të mbajë seancë të re.

Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare thonë se thirrja e seancës për ditën e premte pa pasur lëvizje rreth marrëveshjeve të arritura për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është provokim i situatës.

Fatmir Limaj, nga “Nisma për Kosovën”, gjatë një debati televiziv ka thënë se posedon informacione se partitë në pushtet janë duke e përgatitur një skenar që në seancën e radhës të ketë edhe përleshje fizike në Kuvend në mes deputetëve. Të njëjtin mendim e ndan edhe shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i cili thotë se ekziston rreziku që seanca e radhës të ketë epilog përleshjesh në mes deputetëve.

“Kryeparlamentari Veseli nuk po e pranon argumentin e opozitës dhe në këtë drejtim po dëshiron që konfliktin ta zhvendosë në përleshje fizike mes deputetëve. Rreziku se situata mund të eskalojë në rrahje në mes të deputetëve gjithmonë ekziston për aq sa kohë me kryeneçësi kryeparlamentari dhe pushteti synojnë t’i mbrojnë këto marrëveshje”, ka thënë Konjufca të mërkurën në një konferencë me gazetarë. /Zëri/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/frike-per-perleshje-ne-mes-deputeteve-ne-seance/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala