Francezët nuk i kanë 400 milion euro për Brezovicën

Autori:Zekirja Shabani

Premtimi për mbi 400 milion euro investime në kompleksin turistik Brezovica nuk do të realizohet në vitin 2015.

Konsorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” nuk ka arritur t’i siguroj paratë për të filluar punimet për ndërtimin e qendrës së re turistike.  Krejt çfarë kanë ofruar deri më tani, janë 100 milion euro të cilat, janë larg zotimeve të bëra në ofertë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka vendosur t’i jap edhe gjashtë muaj afat investitorit që t’i gjej ato. Kështu ka bërë të ditur Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, transmeton Gazeta Fjala.

“Komisioni ndërministror ka marrë vendimin, që kontrata dhe data e fundit për sjelljen e dokumentacionit, që dëshmojnë mobilizimin e financave, të jetë 31 maji i vitit 2016. Jemi marrë vesh gjithashtu, që të mos ketë shtyerje të tjera. Më 31 maj, nëse nuk i kemi të gjitha dëshmitë për mobilizimin e financave, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ekzekutojë garancinë bankare, e cila është dyfishi i asaj që ka qenë. Garancia bankare për 6-mujorshin e ditëve të punës ka qenë 180 mijë, tashmë kemi 500 mijë euro”, ka thënë Bajrami.

Bajrami tha se, një ndër arsyet që konsorciumi ka kërkuar shtyrjen e afatit është edhe situata politike e muajve të fundit, në veçanti ajo me gazin lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës.

“Besojmë se, situata politike dhe gazi lotsjellës në Kuvend kanë pasur një impakt. Në fakt, një nga arsyet e konsorciumit të Brezovicës, që ka kërkuar zgjatje të afatit, ka qenë edhe kjo, ndaj dhe kanë thënë se ka qenë e vështirë që të përmbyllen negociatat me kompani botërore. Ata nuk kanë pavarësi tërësore prej financuesve të tyre, por një prej faktorëve që kanë ndikuar në zgjatjen e këtyre negociatave, ka qenë edhe gazi lotsjellës dhe pamjet në Kuvend”, është shprehur Bajrami.

Sipas saj, konsorciumi ka arritur të mobilizojë rreth 100 milionë euro dhe janë në negociata edhe me kompani të tjera, të cilat kanë kërkuar takime edhe me institucionet e Republikës së Kosovës./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/francezet-nuk-i-kane-400-milion-euro-per-brezovicen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala