Franca nuk po i mbështet më refugjatët

Autori:Avdyl Pajaziti

Mbështetja franceze për refugjatët ka rënë ndjeshëm pas sulmeve të Parisit. Shumica e terroristëve që vranë 130 vetë e plagosën qindra të tjerë, ishin shtetas francezë e belgë, por tashmë është e qartë se të paktën dy prej tyre kanë hyrë nga Greqia me valën e emigrantëve që po mësyjnë Europën duke shfrytëzuar krizën e te ardhurve për të hyrë pa u kontrolluar në kontinentin e vjetër.

Kaq mjafton që të shihen me dyshim edhe të tjerët. Mikpritja e ngrohtë që iu rezervua përpara dy muajsh valës së parë të refugjateve sirianë në Francë, ka humbur, por jo vetëm në këtë vend.

Ngjarjet e 13 nëntorit janë duke ushqyer ndjenjat anti-emigrantë edhe në pjesë të tjera të Europës, ndërsa në prag të zgjedhjeve rajonale franceze, përkrahja për Frontin Nacional ka njohur rritje.

“Jo më emigracion, jo me të ardhur ilegalë”, është teza e partisë së ekstremit të djathtë, që thotë se emigrantët e mbërritur në vend duhen trajtuar sa më njerëzisht, por ama këmbëngul që të gjithë të kthehen mbrapsht.

Si për të treguar se pavarësisht dhunës së ekstremistëve, qeveria franceze i ndan terroristët nga emigrantët e thjeshtë, Francois Hollande u zotua të pranojë 30 mijë refugjatë nga Siria gjatë dy viteve të ardhshme, shifër kjo akoma më e larte së 24 mijë që premtoi në muajin shtator.

Lajmi se kamikazët ishin hequr si emigrantë ka pasur ndikim megjithatë tek francezët e thjeshtë, ashtu si edhe tek liderë të tjerë europianë që nxituan të lidhin terrorin me fluksin e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Të njëjtin qëndrim ndajnë edhe qytetarët amerikanë, ndërsa shumë shpejt pas masakrës në kryeqytetin francez, më shumë se gjysma e guvernatorëve shtetërorë në Amerikë deklaruan se nuk duan të strehojnë më emigrantë nga Siria. (Tch)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/franca-nuk-po-i-mbeshtet-me-refugjatet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala