Fraksion Plus: Për të rrëzuar një qeveri duhen protesta të qytetarëve, e jo të subjekteve politike

Autori:Avdyl Pajaziti

Përsëritjen e bllokadës së Kuvendit dhe hedhjen e gazit lotsjellës nga ana e opozitës, nxitjet dhe konfrontimet vazhdueshme të dhunës absurde me policinë e Kosovës, Fraksion Plus, i konsideron metoda antidemokratike, jo efektive dhe përçarëse për realizimin e qëllimeve, qoftë për anulimin e marrëveshjeve në fjalë, apo për synimet e rrënimit/marrjes së pushtetit. Në vend të parandalimit, këto janë metoda të ushqimit të së keqes për Kosovën. Dhuna nuk i sjell fitore asnjë pale politike, pos dështim, riciklim të dhunës, përçarje politike dhe shoqërore. Kjo që po ndodh në skenën tonë politike është mbyllje e perspektivës për Kosovën.

“Për të qenë më degraduese, krahas bllokadës aktuale institucionale, si pozita edhe opozita po abuzojnë edhe me paratë e taksapaguesve, dhe përpos që po përfitojnë nga mëditjet e majme, nuk po hezitojnë të shkatërrojnë edhe pronën publike, po në kurriz të parasë publike”, thuhet në reagimin e Fraksion Plus.

Fraksion Plus konsideron se debati i hapur demokratik parlamentar, ndërpartiak dhe qytetar, është forma dhe rruga më e dinjitetshme për tejkalimin dhe zgjidhjen problemeve dhe dilemave politike. Demonstratat janë e drejtë demokratike dhe e ligjshme, brenda kuadrit ligjor demokratik, ruajtjes së rendit shtetëror dhe zhvillimit demokratik. Peticioni është formë demokratike të shprehjes, kur realizohet me kohë dhe kur punohet për parandalimin e së keqes në rrugë aktive institucionale, e jo përmes dhunës në rrugë, duke manipuluar me zhgënjimin qytetar.

“Shteti është aparat i dhunës që fitohet me shumicë votash, në rrugë demokratike. Kur shteti vihet në rrezik, është detyrë dhe e drejtë e strukturave përkatëse të shtetit të vihen në mbrojtje të tij. Për rrënimin a ndërrimin e një pushteti apo qeverisje të korruptuar e jo demokratike, legjitim është vetëm populli, me votë ose me fuqinë e veprimit të vet në protesta të pandalshme e masive, e jo subjektet e veçanta politike, qofshin të organizuara në një front”, thuhet në reagim.

Në rrethana aktuale vendit i mungojnë protestat e organizuara qytetare për demokraci kundër dhunës. Alternativë e dhunës është demokracia që sjell sistem efektiv politik dhe demokratik zgjedhor, parti të përgjegjshme politike, individë të emancipuar, me dije e kulturë politike, e jo liderë të papërgjegjshëm e të korruptuar. Kjo alternativë i mungon shtetit të Kosovës, i cili në vend të ndërtimit dhe zhvillimit, po kalon nëpër kriza të vazhdueshme politike dhe ekonomike. /Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fraksion-plus-per-te-rrezuar-nje-qeveri-duhen-protesta-te-qytetareve-e-jo-te-subjekteve-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala