FMN kritere të ashpra për Qeverinë e Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Funksionalizimi i bordit të Agjencionit Kosovarë të Privatizimit (AKP), fillimi i prokurimit të centralizuar për një numër produktesh dhe shërbimesh, aprovimi i një rregullore për pagat në sektorin publik, eliminimi i burokracisë, janë vetëm disa nga kushtet të cilat duhet t’i plotësoj Qeveria e Kosovës nëse dëshiron të hyjë në marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Me hyrjen në programin e FMN Stand-By, Qeverisë i mundësohet qasja në kredi në vlerë prej 185 milionë euro. Mjete këto me të cilat qeveria planifikon t’i përdorë për përmirësimin e bilancit bankarë të qeverisë.
KosovaPress ka arrit të siguroj dokumentin ku janë të përshkruara në detaje kriteret e FMN-së. Në dokument po ashtu thuhet se qeveria duhet të miratoj në Kuvend rishikimin e buxhetit për vitin 2015, i cili duhet të miratohet deri më datën 15 korrik, para se Bordi i FMN-së të shqyrtoj aprovimin e programit. Po ashtu, Qeveria duhet t’i përshtatet parashikimeve për të hyrat dhe ecuritë reale ekonomike. Me rishikim, Qeveria duhet të ketë kursime në kategorinë e shpenzimeve në paga, mallra dhe shërbime të transfereve , por nuk do të preken shpenzimet kapitale. Me këtë veprim sipas këtij dokumenti përmirësohet kualiteti i buxhetit, ndërsa në asnjë mënyrë nuk do të rrezikohet implementimi i prioriteteve të Qeverisë sipas programit të aprovuar.

“Qeveria është zotuar tek FMN se në kuadër të buxhetit të rishikuar do të ketë shpenzime rrjedhëse 1,178 milionë euro, shpenzime kapitale 457 milionë euro, deficitin buxhetor do të jetë 136 milionë euro dhe bilanci bankar i qeverisë deri në fund të vitit të jetë jo më pak se 171 milionë euro”, thuhet në dokument.
Pjesë e programit me FMN do të jenë edhe një numër i reformave strukturore që janë prioritet të qeverisë, e që implementimi i tyre pritet të ketë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike, eliminimi i burokracisë, rritja e transparencësdhe përmirësimin e qeverisjes. Në këto reforma përfshihen modifikimi i rregullës fiskale, për t’i mundësuar qeverisë rritjen e investimeve publike, përmes huamarrjes ndërkombëtare, aprovimi i një rregullore për pagat në sektorin publik, për t’u siguruar se ç’do lëvizje e pagave në vitet e ardhshme, bazohet në ecuritë ekonomike të vendit dhe në mundësitë buxhetore , funksionalizimi i bordit të AKP-së duke emëruar anëtarët e saj, fillimi i prokurimit të centralizuar për një numër të produktesh dhe shërbimesh , dhe fillimi i implementimit të projektit të Prokurimit Publik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fmn-kritere-te-ashpra-per-qeverine-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala