FMN i troket në derë Qeverisë së Kosovës

Një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga shefi i Misionit për Kosovë, Jacques Miniane po qëndron në Kosovë për konsultime lidhur me ndryshimet e nisura nga Qeveria e Kosovës në pakon fiskale.
Të enjten ata kanë zhvilluar një takim me Ministrin e Financave, Avdullah Hoti i cili i ka informuar ata mbi Planin Zhvillimor të Qeverisë, për reformat ekonomike e fiskale të cilat dalin nga ky plan, si dhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
“Ministri Hoti, informoi përfaqësuesit e delegacionit të Misionit të FMN-së edhe mbi vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat kanë të bëjnë me tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në të ardhurat personale dhe tatimin në të ardhurat e korporatave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Ndërsa shefi i Misionit për Kosovës z. Jacques Miniane dhe ekipi i tij shprehën përkushtimin e FMN-së për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ekipi i FMN-së do të qëndroj në Kosovë deri më 30 mars, ku përveç Ministrisë së Financave do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera në Kosovë.