FMN: Greqisë i duhet më shumë ndihmë

Autori:Avdyl Pajaziti

Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Greqisë i duhet ndihmë shumë më e madhe se sa ajo që liderët evropianë janë shprehur të gatshëm për ta dhënë.

Deklarata e FMN vjen ndërkohë që kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, po zhvillon betejë për t’i bindur ligjvënësit e pakënaqur majtistë nga partia e tij, që t’i miratojnë masat e kursimit dhe reformat ekonomike, për sigurimin e ndihmës së re prej 86 miliardë eurosh.

Bashkë me studimin, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kritikuar marrëveshjen që liderët e Eurozonës i ofruan Greqisë. Kreditori kryesor i shtetit helen ka deklaruar se borxhi publik i Greqisë është bërë “tërësisht i paqëndrueshëm” dhe për rrjedhojë duhet më shumë lehtësim. Redaktori ekonomik pranë BBC, Robert Peston deklaroi se kritikat e Fondit ishin të ashpra.

FMN sugjeroi opsione që përfshinin edhe rishkrimin e borxhit, një lëvizje kjo e kritikuar ashpër nga kreditorët e tjerë. Parlamenti grek duhet të miratojë ndërkohë 4 klauzola të legjislacionit brenda së mërkurës. Është kërkesa e parë që rrjedh nga marrëveshja, e arritur të hënën pas shumë orë negociatash. Masat, që hasin rezistencë nga deputetët e partisë së kryeministrit Alexis Tsipras, përfshijnë rritje të taksave dhe shkurtim të pensioneve.

Greqia i detyrohet mbi 10 për qind të borxhit të saj FMN-së. ajo tashmë ka kaluar dy afatet për shlyerjen e tyre dhe është vendi i parë i BE-së që ka bërë një veprim të tillë. Peston thotë se qëndrimi i FMN-së e bën edhe më të vështirë për Tsipras përpjekjen për të bindur parlamentin e Athinës të mbështesë masat. Gjithashtu, ai vë në dyshim vlefshmërinë e reformave të kërkuara nga Eurozona dhe miraton ato kushte të shkruara në letër, për të cilat populli grek ka kundërshtuar aq shumë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fmn-greqise-i-duhet-me-shume-ndihme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala