Fletëarrest ndaj Ylli Hoxhës

Policia e Kosovës ka lëshuar fletëarrest ndaj asambleistit të Vetëvendosjes, Ylli Hoxha, për pengim të personit zyrtar.
Kjo ka ndodhur, pasi ai ishte pjesmarrës në bllokimin e hyrjes në ndërmarrjen komunale “Pastrimi”, për ta pamundësuar, siç e quan Vetëvendosje, drejtorin jolegjitim, Feim Salihun. “I kujtojmë gjithë opinionin se Feim Salihu është shkarkuar nga kjo detyrë me datën 9 janar të këtij viti, nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Gjithashtu, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 16 janar 2015, ka vendosur që ish kryeshefi ekzekutiv, Feim Salihu ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, Feim Salihu vazhdon ta injorojë vendimin e bordit dhe vendimin e Gjykatës. Ndaj Feim Salihut, po ashtu ekziston kallëzim penal për kërcënim dhe pengim të ushtrimit të detyrës zyrtare, nga kryesuesi i bordit, Bardhyl Noci” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes
Sipas VV, edhe përkundër të gjitha këtyre argumenteve, “Policia vazhdon ta tolerojë Feim Salihun dhe të mos e zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të bordit të drejtorëve për pezullimin dhe shkarkimin e tij”.
“Për më tepër, sot policia lëshoi fletëarrest për këshilltarin komunal nga Lëvizja Vetëvendosje, Ylli Hoxha, për pengim të personit zyrtar, në këtë rast vet Feim Salihut, i cili që nga momenti i shkarkimit të tij nuk ka asnjë të drejtë ta ushtrojë këtë funksion”, theksoi kjo parti.
Vetëvendosje i bën thirrje policisë që të mos bëj drejtësi selektive, “por të zbatojë vendimin e bordit të drejtorëve dhe të Gjykatës Themelore, detyrë kjo që e ka të caktuar me kushtetutë, e jo të vihet në shërbim interesave partiake të LDK-së”.