Flet Valon Lluka për sulmet kundër tij

Biznesmeni Valon Lluka ka treguar se nuk i di arsyet se pse i është djegur vetura afër shtëpisë së prindërve të tij në Gjakovë. Ka thënë se s’i ka borxh askujt dhe nuk i di motivet se po sulmohet për herë të dytë në shtëpi.
Lluka ka thënë se s’ka ndonjë rezultat nga hetimet as për rastin e parë kur i ishte hedhur një bombë në oborr të shtëpisë në Gjakovë.
“Nuk e di pse. Jeton në Prishtinë. Vikendeve vij në Gjakovë. S’po di. Patën ndodh edhe më herët. E patën qit edhe në oborrin. Kjo është hera e dytë”, ka thënë Lluka, për Gazetën Express.
Lluka ka thënë se në Prishtinë e ka punën derisa në Gjakovë shkon vetëm për t’i vizituar prindërit. Ka thënë se ka afërsi me Kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari.
“Kurrë askujt s’i kam bërë keq. Në Gjakovë s’kam kurrfarë interesi. S’kam interes as me Komunë. Këtu e kemi një fabrikë të tekstilit. Kemi 140 punëtorë”, ka shtuar ai.
Lluka ka thënë se është duke i pritur hetuesit nga Prishtinë për të parë nëse vetura është djegur në mënyrë të qëllimshme apo ka pasur edhe ajo ndonjë mjet shpërthyes.
Sidoqoftë, Express raportoi, sot, se shtëpia e biznesmenit është djegur, në afërsi të shtëpisë. Edhe në qershor të këtij viti, në shtëpinë e Llukës ishte hedhur një granatë dorë, e cila ishte larguar nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë, sot, Zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë thënë se ende s’ka të dyshuar për djegien e veturës së Llukës derisa kanë konfirmuar se hetimet po vazhdojnë.