Flet shefi i tatimeve, Behxhet Haliti: Ja pse ua morëm 5000 bizneseve certifikatën e TVSH-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtori I Administratës Tatimore të Kosovës Behxhet Haliti nuk e ka ndërmend të ndalet në zhvillimin e institucionit që e udhëheqë. Ai, në një intervistë të zgjeruar për Gazetën Fjala flet rreth tentativave për ikje së tatimit nga naftëtarët, ndryshimet që do të ndodhin në ligjin e TVSH-së, si i përcjellë në kohë reale ATK të gjitha transaksione bankare në vlerën mbi 500 euro, fiskalizimin e bizneseve të vogla, në cilat raste ATK ia merr certifikatën e TVSH-së një biznesi, kur e shpallë biznes joaktiv, si do të bashkohen ATK dhe Doganat, e shumë çështje tjera.

Haliti udhëheq një institucion i cili ka treguar rritje të vazhdueshme, duke u bërë faktor i rëndësishëm i të hyrave publike me 435 milionë euro të mbledhura vitin e fundit. Rritja viteve të fundit është rreth 15 për qind çdo vit. Ai thotë se kjo është arritur falë menaxhimit efikas, përderisa FMN tashmë u rekomandon adiministrateve të vendeve fqinje që të veprojnë njëjtë si ATK. Por, edhe ky institucion ka një varg pikash të nxehta me të cilat po ballafaqohet. Gazeta Fjala e ka pyetur të parin e tatimeve në vend për secilën pikë.

Gazeta Fjala: Z. Haliti, një nga çështjet më të nxehta është fiksalizimi i naftëtarëve. Pse nuk po fiskalizohen ata?

Behxhet Haliti: Ata ishin fiksalizuar më herët. Por, është parë e domosdoshme që të rifikslizohen në mënyrë që të evidentohet saktë secila litër që shitet. Me anë të sistemit të ri, asnjë litër nuk mund të shitet pa u lëshuar fatura dhe pa u evidentuar tek ne. Janë krijuar grupet punuese dhe po punohet në atë drejtim që të gjendet një zgjidhje adekuate.

Gazeta Fjala: A po i ikin tatimit në këtë mënyrë ata?

Behxhet Haliti: Deklarimi në kufi është i njëjtë me atë që deklarohet edhe në shitjen me pakicë. Krejt çka mund të bëjnë është të shtyjnë pagesën, pra të ardhurat që i kanë gjeneruar këtë muaj t’i deklarojnë për muajin e ardhshëm, asgjë më tepër.

Gazeta Fjala: Por, ka mundësi të futjes kontrabandë, pastaj në Kosovë janë tri rafineri të licencuara…

Behxhet Haliti: Ka pasur raste të kontrabandimit. Ne dhe dogana kemi krijuar task forca vazhdimisht për t’i kontrolluar. Kemi hasur në shumë raste të kontrabandës në pjesën ku pas vitit 2008 nuk kemi patur shumë qasje të plotë si në zonën tek Dheu i Bardhë, Podujeve dhe Istogu edhe në traktorë apo kamionë të kamufluar të cilët bartnin deri në 10 mijë litra naftë. Tre herë në ditë nga 10 mijë litra bëjnë sa një maunë. Ajo naftë është shprazur dikund. I kemi luftuar këto dukuri dhe kemi pasur sukses. Tash, me teknologjinë e re nuk mund të bëhet më kjo, pasi evidentohen qysh në start. Sa i përket rafinerive, ajo naftë veçse është e deklaruar në doganë.

Gazeta Fjala: Çka po ndodhë me fiskalizimin e bizneseve?

Behxhet Haliti: Ne e kemi përmbushur nga pikëpamja e riskut procesin e fiskalizimit. Janë fiskalizuar deri tash rreth 28 mijë pika të shitjes, të cilat paraqesin 55 për qind të totalit, por kemi mbuluar 92 deri 94 për qind të bruto qarkullimit.

Gazeta Fjala: Kush ka mbetur i pafiskalizuar?

Behxhet Haliti: Pa fiskalizuar ende kanë mbetur kryesisht ndërmarrje të vogla dhe mikro që kanë qarkullim vjetor deri në 5 mijë euro. Por, me Udhëzimin e ri Administrativ që do të hyjë në fuqi së shpejti do të gjenden forma të stimulimit edhe për ta.

Gazeta Fjala: Po a është ngarkesë e madhe për këto biznese të blejnë arka nga 600 euro kur qarkullimi i tyre është aq i vogël?

Behxhet Haliti: Arkat për ta në fakt nuk e kalojnë as shumën 300 euro. Pra, janë pak nën këtë shumë.

Gazeta Fjala: Por, sërish për ta 300 euro mund të jetë i tërë fitimi vjetor…

Behxhet Haliti: Kështu e parasheh ligji, jo ne. Politikat Fiskale i bën Ministri e Financave.

Gazeta Fjala: Po pse nuk i vendosë vet shteti tek ta atëherë arkat fiskale?

Behxhet Haliti: E thash më herët, ne nuk i bëjmë politikat fiskale. Por, mund të them në njëfar forme se ata që i blejnë arkat fiskale e që janë deklarues të TVSH-së ju kompensohet kjo qoftë përmes amortizimit, qoftë si TVSH e zbritshme apo si kosto operative.

Gazeta Fjala: Por, dihet se këta që janë me qarkullim nën 5 mijë euro nuk janë deklarues të TVSH-së…

Behxhet Haliti: Po, fakt. Por, është një kosto që ndodhë njëherë në 5-6 vjet, sepse llogaritet që afati i amortizimit për to të jetë aq i gjatë .

Gazeta Fjala: Po a do të ishte mirë që t’u jepeshin pajisjet fiskale bizneseve që kanë qarkullim nën 5 mijë euro?

Behxhet Haliti: Kjo varet nga linjat buxhetore të Ministrisë së Financave. Sigurisht që do të ishte një lehtësim edhe për këto biznese, por edhe për vet Administratën Tatimore sepse do ta përmbyllte shumë më shpejt procesin e fiskalizimit. Sigurisht, ky është proces i vazhdueshëm për bizneset e reja. Por, duhet ta sqaroj se jo të gjitha bizneset kanë obligim të kenë pajisjet fiskale. Obligim kanë vetëm ato biznese që kryejnë mallra dhe shërbime e pagesën e marrin në kesh. Tjera, psh. ato që kryejnë pagesat përmes bankës atëherë biznesi nuk ka obligim ta ketë arkën fiskale.

Gazeta Fjala: Ju thatë se keni fiskalizuar rreth 90 për qind të bruto qarkullimit. Por, mbi 35 për qind e qarkullimit vazhdon të mos evidentohet duke u kanalizuar në ekonominë joformale…

Behxhet Haliti: Kjo është çështje variabile. Ne kemi rritur vazhdimisht të hyrat. Viteve të fundit ato janë rritur 2 deri në 5 herë më tepër se rritja e GDP-së. Sot, ne kemi rezultate 15 për qind më të mëdha se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Pra, po mbledhim të hyra nga ajo pjesë e tatimpaguesve që kanë deklaruar më pak se qarkullimi apo nuk kanë deklaruar fare. Në këtë na ka ndihmuar qasja proaktive. FMN e ka ranguar ATK-në si një nga administratat më të mira në Evropën Juglindore. Mbi 70 për qind e kontrolleve përcaktohen nga vetë sistemi i analizës së riskut në mënyrë që të reagohet shpejt.

Gazeta Fjala: Si po veproni shpejt, çka nënkupton kjo?

Behxhet Haliti: Po për shembull ne në kohë reale i marrim të gjitha transaksionet e doganave, të gjitha transaksionet që ndodhin në banka në shumën mbi 500 euro, çdo pagesë që ndodhë prej Thesarit dhe informacione tjera.

Gazeta Fjala: Ne si medium kemi raportuar më herët për numrin e bizneseve joaktive. Është një numër enorm, prej rreth 60 mijë biznesve. Pse po ndodhë kjo?

Behxhet Haliti: Po ligji e specifikon qartë se nëse një biznes që nuk ka bërë asnjë deklaratë tatimore gjatë 12 muajve të fundit, atëherë ai kontaktohet. E nëse nuk mund të kontaktohet, atëherë vendoset në fjalin joaktiv. Pra, janë biznese që nuk kanë aktivitet biznesor, nuk kanë transaksione bankare dhe asgjë. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i verifikojmë vazhdimisht ato.

Gazeta Fjala: Pse lejohet të ekzistojnë biznese të tilla?

Behxhet Haliti: Po kshtu është legjislativi. Agjencioni Kosovar për Regjistrim të Bizneseve i ka rregullat e veta për ta çregjistruar një biznes.

Gazeta Fjala: Por, ato po manipulojnë pasi janë kompani të krijuar vetëm për ta fituar një tender. Kjo krijon mundësi të mëdha për manipulime…

Behxhet Haliti: Jo, nuk ka mundësi. Një biznes që është jo aktiv nuk ka certifikatë të TVSH-së, s’mund të merr asnjë vërtetim tatimor. Pra, nuk ka mundësi operimi.

Gazeta Fjala: Pse ua keni marrë certifikatën e TVSH-së rreth 5 mijë bizneseve?

Behxhet Haliti: Është obligimi ligjor i yni. Mendoj që kemi bërë një punë të shkëlqyeshme tri viteve të fundit. Kemi bërë një modul autmatik të monitorimit dhe një biznesi vetvetiu i bllokohet certifikata e TVSH-së dhe s’mund të bëjë as import, as eksport, asgjë. As drejtori i ATK-së, as i doganave e askush tjetër nuk mund të ndikojë.

Gazeta Fjala: Si funksionon ai sistem?

Behxhet Haliti: Me datën 1 të çdo muaji krijohen katër lista nga sistemi. Lista L-1, L-2,L-3 dhe L-4. L-1 është lista e tatimpaguesve që kanë një deklaratë të TVSH-së mangut e kështu me radhë. Lista e parë u shkon përmes emailit atyre tatimpaguesve, që mesatarisht janë rreth 1000 në muaj ku njoftohet për deklarim. Lista L-2 që kanë dy deklarata papaguar i shkon Qendrës së Thirrjeve. Menaxheri i Qendrës së Thirrjeve i thërret dy herë brenda muajit për t’i lajmëruar. Kjo jep efekt sepse vazhdimisht kemi rritje të deklarimit pas këtyre veprimeve. Janë disa biznese tjera që kanë nga 3 deklarata vonesë që futen në L-3. Ato lista u shkojnë menaxherëve regjional të cilët duhet t’i vizitojnë, të shihet pse s’po deklaron. Lista L-4 është e fundit. Aty caktohet zyrtari konkret, rasti konkret nga udhëheqësi konkret në regjionin konkret dhe krejt kjo monitorohet dhe regjistrohet në sistemin online që e sheh edhe zyra qendrore. Atëherë nëse biznesi po shkon drejt shuarjes apo nuk mund të kontaktohet dhe krijohen parakushtet ligjore, rekomandohet tërheqja e certifikatës së TVSH-së. Atë kur vendoset e shohin të gjitha shtetet e botës. Atij tatimpaguesi i bllokohet kufiri. Natyrisht, që atij prapë mund t’i kthehet certifikata, pas përmbushjes së kushteve që është deklarimi dhe proceset tjera.  

Gazeta Fjala: Pse TVSH paguhet në kufi?

Behxhet Haliti: Paguhet në çdo vend. Gjermania e mbledh TVSH-në në Selanik. Kjo qasje nuk i dëmton aspak bizneset.

Gazeta Fjala: Por, pse detyrohen bizneset ta parapaguajnë TVSH-në për mallra e shërbime që nuk dihet a do t’i shesin a jo?

Behxhet Haliti: Nuk është ashtu. Tek ne çdo muaj deklarohen deri në 55 milionë euro, por paguhen rreth 12 milionë euro sepse i bijnë dëshmitë se e kanë paguar në doganë. Edhe ashtu dallimi është vetëm 20 ditë që paguan më herët, nuk është ndonjë periudhë afatgjate.

Gazeta Fjala: Por, po paguajnë pa e shitur mallin apo shërbimin…

Behxhet Haliti: Por, edhe shteti po i lejon 1 muaj dhe po u thotë paguajeni muajin e ardhshëm. Pra, një biznes shet mallra apo shërbime tërë muajin dhe në fund e deklaron dhe duhet ta paguajë. Kjo është thuajse e njëjtë. Ka keqkuptime këtu dhe nuk po elaborohet si duhet nga anlistët. Ndryshe, korniza ligjore e përcakton kështu dhe kjo është e njëjtë thuajse në të gjithë Evropën. Nëse një biznes nuk arrin ta shes mallin apo shërbimin pas parapagimit të TVSH-së atëherë ajo i kthehet. Në rastet e importit mund t’i vendosin mallrat edhe në Depot Doganore dhe të paguajnë vetëm gjatë shitjes së mallrave.

Gazeta Fjala: TVSH-së po i ndryshohen normat dhe po i ulet pragu në 30 mijë euro, kur do të ndodhë kjo?

Behxhet Haliti: Kjo është politikë qeveritare. Por, ATK ka punuar gjatë tri viteve të fundit në pjesën përmabjtësore në bazë të praktikave dhe përvojave të deritashme. Mendoj se rreth prillit do të ketë dicka konkrete në këtë drejtim.

Gazeta Fjala: Çka mendoni për bashkimin e ATK-së dhe doganave?

Behxhet Haliti: Po tashmë janë caktuar tre zyrtarë nga ATK dhe tre nga dogana, në mesin e të cilëve edhe une me drejtorin e doganave. Ky është vendim shumë i mirë dhe shumë i qëlluar. Krijimi i një agjencioni të vetëm në shumë shtetë është treguar shumë funksional.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/flet-shefi-i-tatimeve-behxhet-haliti-ja-pse-ua-morem-5000-bizneseve-certifikaten-e-tvsh-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala