Flet kosovari që mbeti me veturë në Serbi, tregon si po sillen serbët me ta

Autori:Gazeta Fjala

Dardan Brahimi ka mbetur në Serbi, që nga orët e para të mëngjesit. Ai ia kishte mësyrë Kosovës bashkë me shokët, por rruga iu ka mbetur në gjysmë shkaku i problemeve me veturën. Gjatë kalimit nëpër Serbi, iu ka shpërthyer goma në Novi-Sad. Detaje se si ndodhi rasti ka dhënë Behrami për Express.

Ai ka treguar se goma i ka shpërthyer në Novi-Sad, rreth orës 03:00. Ndonëse më herët, kosovarët janë ankuar se bandat nëpër Serbi po ua dëmtojnë automjetet, Dardani mendon se ky rast ka qenë aksident.

“Goma shpërthyer aksidentalisht në Novi-Sad, rreth orës 02:45. Ngjarja ka ndodh në autoban, s’kam qenë vetëm unë, ka pas edhe automjete të tjera dhe mendoj që është aksident e jo e qëllimshme. Unë edhe shokët më të cilët kam udhëtuar jemi mirë”, ka treguar ai.

Brahimi ka folur edhe për sjelljen e qytetarëve atje ndaj tyre, derisa ka treguar se tashmë kanë bërë zgjidhje për veturën.Reklamë

“Jemi mbi tetë orë në Novi-Sad dhe sjellja e qytetarëve është shumë e mirë. Në një servis na kanë dërguar me automjetet e tyre për të blerë ushqime për të ngrënë. Në ndihmë na kanë dal “Merakli t’kerreve”. Pas postimit, më janë lajmëruar shumë qytetarë dhe i falenderoj nga zemra. Për momentin një djalë nga Bujanovci e ka angazhuar një shok të tij dhe po presim që të na e sjell gomën”, ka thënë Brahimi për Express.

Ndryshe, para një viti, mërgimtarët ishin ankuar se banda të organizuara serbe po ua shpërthejnë gomat e veturave mërgimtarëve kosovarë.

Brenda 24 orëve atëherë ishin paraqitur pesë raste, ku gomat e makinave të mërgimtarëve ishin shpërthyer nga mjete të forta në dalje të autostradës së Nishit.

“Ju them që mos kaloni në pompat e Lukoil, kur kaloni nëpër Serbi. Janë bandë e organziuar dhe në këpucët e tyre kanë thika dhe i shpojnë gomat. Ndërsa menjëherë aty afër rrin një golf 2 që ka lidhje me automekanik dhe aty per aty i ndrrojn gomat, ku një gomë kushton 70 euro”, kishte shkruar një mërgimtar në rrjete sociale.

Në atë kohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës kishte sugjeruar qytetarët e Kosovës që të shmangin qarkullimin nëpër Serbi, e nëse nuk munden ta bëjnë këtë, të shfaqin kujdes dhe maturi gjatë qarkullimit atje.

“Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për t’u kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhej në komunikatën e MPJ’së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/flet-kosovari-qe-mbeti-me-veture-ne-serbi-tregon-si-po-sillen-serbet-me-ta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala