Flet Ferid Agani për skandalin në Ministri të Mjedisit

Autori:Avdyl Pajaziti

Mosinkasimi i mbi 100 milionë euro borxheve të kompanive për shfrytëzimin e ujërave ka alarmuar Ministërinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kreu i këtij insitucioni, Ferid Agani, në një deklaratë për Gazetën Fjala, ka thënë se brenda muajit do të ketë të gatshëm raportin e detajuar lidhur me këtë qështje dhe do të merren masa ndaj atyre që kanë lejuar të ndodhë një gjë e tillë.

“Përkitazi me këtë çështje të ngritur në mënyrë publike para marrjes së mandatit tim në MMPH kam kërkuar shpejtë pas marrjes së detyrës raporte zyrtare nga Sekretari i përgjithshëm dhe Auditori i brendshëm i ministrisë, të cilat pres të më dorëzohen brenda këtij muaji”, ka thënë Agani për Gazetën Fjala.

Sipas tij, bëhet fjalë për akt nën-ligjor që është në fuqi prej vitit 2006 zbatimi i të cilit ka qenë nën përgjegjësinë e së paku dy mandatave paraprake qeveritare dhe ministrore.

“Kjo imponon nevojën e shqyrtimit të kujdesshëm të gjitha aspekteve relevante që kanë të bëjnë me këtë çështje përfshirë edhe raportet zyrtare të auditimit të jashtëm të Ministrisë nga ana e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës”, ka thënë Agani për Gazetën Fjala.

Kreu i MMPH-së thotë se në këtë drejtim do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore që do të paraqiten të nevojshme në funksion të sigurimit të transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies së plotë përkitazi me këtë çështje.

E çdo veprim i ministrisë, përkitazi me këtë çështje, ai thotë se do të bazohet në raportet që do të përfundohen gjatë këtij muaji.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/flet-ferid-agani-per-skandalin-ne-ministri-te-mjedisit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala