Flet e mbijetuara e masakrës së Krujës: “Më vranë familjen para syve”

Autori:Avdyl Pajaziti

E mbijetuara e vetme nga masakra e trefishtë në Thumanë të Krujës ka marrë dy plumba, në mushkëri dhe bark. Është jashtë rrezikut për jetën

“Po nipi i Franit a ka vdek?” Këtë pyetje bën vazhdimisht 66-vjeçarja Luçie Ceku, e cila pas mesnatës së të premtes u soll me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Momentalisht e mbijetuara e vetme nga masakra e trefishtë në Thumanë të Krujës është jashtë rrezikut për jetën, ndonëse orët e para ishin tepër kritike. Siç bëjnë me dije pjesëtarët e stafit mjekësor të Spitalit të Traumës, gruaja ka marrë dy plumba, në mushkëri dhe bark, por për fat të mirë nuk paraqet rrezik serioz për jetën. Dje paradite, pranë shtratit të saj, ishin edhe dy djemtë që kishin mbërritur nga Italia, por gjatë pasdites familjarët ishin larguar për shkak të ceremonisë mortore të bashkëshortit 79-vjeçar, djalit tjetër dhe nipit.

I vetmi që interesohej për shëndetin e saj në ato orë të vështira ishte Aleks Gega, djali i dajës së Luçies, teksa në orët e mbrëmjes pritej ardhja e familjarëve të tjerë. Oficerët e Policisë Gjyqësore morën dëshminë e së plagosurës, në ambientet spitalore, teksa u morën edhe pjesë të rrobave, për ekspertizë. Deri në orët e mbrëmjes, autorët e krimit ishin ende të lirë, ndonëse mbi 200 forca policore u vunë në kërkim të familjes Kora, tre vëllezërve dhe babait të tyre. Edhe autorët ishin banorë të Thumanës, ku prej shumë vitesh ishin transferuar nga zona e Korçës.

Referuar bisedave mes familjarëve, të dëgjuara nga stafi mjekësor, familja Kora i përkiste komunitetit rom. Përplasja e para pak javëve mes dy familjeve Ceku dhe Kora, për shkak të grindjes së mikut të Arbenit me njërin prej familjes Kora, ishte tentuar të mbyllej gjatë një sqarimi para pak ditësh, por mesa duket autorët nuk donin ta linin me kaq. Nga ana tjetër, jeta për familjen Ceku nuk ishte treguar edhe aq bujare, pasi vetë e mbijetuara kishte qenë paciente para një viti në Spitalin Ushtarak, pasi pësoi një aksident, ndërsa viktima Arben Ceku, i cili sapo kishte ardhur nga Italia, ku është emigrant, ka lënë në spitalin italian një anëtar të familjes. Kryefamiljari Fran Ceka, me profesion mekanik dhe që vitet e fundit kishte dalë në pension, njihej si person i qetë dhe askush nga familja e tij nuk kishte pasur konflikte.

Dëshmia e Luçies

Që në momentet e para të ngjarjes, pas mesnatës së të premtes, 66-vjeçarja Luçie Ceku u kishte dhënë oficerëve të policisë emrat e autorëve. Ajo i kishte parë të katërt dhe i kishte njohur fqinjët e saj, ndaj me këtë informacion policia operoi menjëherë, duke shpallur në kërkim vëllezërit Daniel, Pëllumb e Besnik Kora, si dhe babain e tyre Guri Kora. “Më thoni, Eno ka vdekur?”, -pyet mjekët dhe familjarët Luçia, pasi për bashkëshortin dhe të birin është e sigurt që kanë ndërruar jetë. Burimet pranë Policisë së Shtetit, i thanë gazetës “Shqip”, se mes të tjerave, në dëshminë e saj 66-vjeçarja është shprehur se “M’i vranë para syve, një e nga një. Në fillim djalin, Arbenin dhe më pas burrin, Franin. I pashë kur binin në tokë, para këmbëve të mia”. Gruaja kishte dhënë detaje përshkruese rreth karakteristikave të autorëve. Referuar gjithnjë dëshmisë së gruas, dhënë për policinë lokale, mësohet se pas vrasjes, autorët janë afruar pranë viktimave dhe u gjuajtën në shkelma. Por mesa duket plagosja e saj, moment të cilin nuk e mban mend mirë, ka ndodhur thuajse në të njëjtin moment kur në shtëpi mbërriti edhe 20-vjeçari Eno Rama, nipi i Franit. “E pashë Enon të binte në tokë, po nuk e di është gjallë apo ka vdekur. Më tregoni të vërtetën”- thotë e mbijetuara nga ngjarja e rëndë. Këtë përgjigje duket se Luçie Ceku nuk e kishte marrë ende, të paktën deri dje pasdite.
Shkaku i vrasjes
banesaSipas dëshmive që pjesëtarët e familjes Ceku kishin dhënë për policinë, mësohet se ngjarja e rëndë i ka fillesat rreth një muaj më pare. Dy prej vëllezërve Kora kishin rrahur një shofer, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, i cili ishte shok me njërin nga viktimat Arben Ceku. Ndërkaq, 44-vjeçari Ceku, i cili ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga Italia, ka takuar anëtarët e familjes Kora, në një lokal, ku qëllimi ishte sqarimi i sherrit. Por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik mes tyre dhe pas kësaj palët janë ndarë. Referuar dinamikës që ka ndërtuar policia, katër anëtarët e familjes Kora kanë marrë armët e zjarrit dhe kanë shkuar në banesën e Arben Cekut duke e kërkuar të dalë jashtë për sqarim. Sapo ky i fundit ka dalë jashtë, në oborrin e shtëpisë së tij, mbi të kanë vërshuar një lumë plumbash duke e lënë të pajetë. Pas tij kanë dalë edhe anëtarët e tjerë të familjes Ceku, Frani dhe Luçia. Nipi i tyre, Eno Rama, i cili banonte aty pranë kishte ardhur, pasi dëgjoi zhurmat, por mbeti i vdekur. Sipas burimeve policore në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të dy armëve të ndryshme, një kallashnikov dhe një pistoletë. Raportohet se për sqarimin e plotë të ngjarjes në polici janë shoqëruar 10 persona. Policia po vijon kërkimet edhe në fshatrat përreth, ndërsa ka ngritur edhe postblloqe në akset rrugore.

Dëshmitë e familjarëve, kushëriri: Policia të arrestojë autorët dhe drejtësia t’i dënojë

Ndërsa në shtëpinë e viktimave janë çelur dyert e zisë, vëllai i Franit, Frrok Ceku, nuk di t’i japë shpjegim fatkeqësisë që i goditi, pasi ata nuk kishin probleme me askënd. “Kur kemi dalë nga shtëpia i kemi gjetur të tre të vdekur këtu në oborr. E katërta është kunata, e plagosur. Mjekët kanë thënë se nuk mund të japin përgjigje kaq shpejt dhe të saktë, pa kaluar të paktën 24 orë”, thotë Frrok Ceku, vëllai dhe xhaxhai i viktimave. Në fshat thonë se familjet Ceku dhe Kora janë banorë të hershëm të fshatit, e nuk kanë pasur probleme më parë mes tyre, përveç debatit të Arbenit në një lokal të fshatit me vëllezërit Kora, për një sherr të dhunshëm mes tyre dhe një shokut të tij, rreth një muaj më parë. Shoku i ngushtë i Eno Ramës tregon se, sapo ishte ndarë me të, kur ka dëgjuar të shtënat që i morën jetën. “Sa u ndava me të në një rrugë tjetër, punë 10 metrash dhe mora rrugicën tjetër. Besoj se është vrarë rastësisht, sepse ishte duke shkuar për në shtëpi”, thotë shoku.

Ndërsa fshati është në zi, shërbimet policore të Krujës dhe Durrësit kanë ngritur postblloqe në rrugë dhe vijojnë kontrollet në zonë, për të kapur autorët e dyshuar, të cilët pas krimit janë larguar me shpejtësi nga fshati. Nga ana tjetër, Aleks Gega, djali i dajës së Luçie Cekut, i cili banon në Fushë-Krujë thotë për gazetën “Shqip” se familja i bën thirrje policisë që të arrestojë autorët, si dhe drejtësisë që t’i dënojë ata. “Gjendja është tepër e rëndë, siç e shikon edhe vetë, kanë ikur dy vetë nga një familje dhe nipi 20 vjeç. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që t’i gjejë autorët dhe t’i çojë para drejtësisë. Më pas kërkojmë që të veprojë drejtësia me ta, sipas ligjeve të shtetit”, -shprehet 55-vjeçari Gega. Ai shton se e gjithë familja është e tronditur nga kjo masakër. Pjesën më të madhe të kohës, dje, ai ishte ndër të vetmit që i qëndronte pranë kushërirës në Spitalin Ushtarak, pasi familjarët e tjerë ishin në varrimin e tre viktimave dhe hanë hapur dyert e mortit. /gazetashqip/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/flet-e-mbijetuara-e-masakres-se-krujes-me-vrane-familjen-para-syve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala