Flet “agjenti” që “spiunoi” në Vetëvendosje (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Ekipi i KALLXO.com ka arritur ta zhvillojë një intervistë të shkurtër me Qerim Krasniqin, personin të cilin sot lëvizja Vetëvendosje e quajti spiun dhe lansoi akuza se u kap duke tentuar të vendoste pajisje përgjimi në selinë e kësaj partie në Prishtinë.

Krasniqi është intervistuar nga KALLXO.com pak minuta pasi policia e ka liruar nga Stacioni Policor numër 2 në Prishtinë.

Ai ka thënë se në Vetëvendosje ka hyrë për ta përdorur toaletin dhe nuk ka pasur qëllim tjetër.

“E përdora WC-në dhe pasi e kreva nevojën. E thirra liftin desha me dalë, më ndalën në dalje dhe më thanë me pritë. I gjetën ato sende, dyshojshin që janë mjete të përgjimit. Ju thash që s’janë dhe se e kam marrë prej altoparlantit këtë magnet edhe e mbaj në xhep”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se asnjëherë nuk ka punuar për organet shtetërore ndërsa kur është pyetur se çka është ai ka deklaruar se është “një civil”.

“Civil jam, qytetar i thjeshtë, nuk punoj asgjë, absolutisht nuk punoj”, ka deklaruar Krasniqi. Ai ka shtuar se këto ua ka thënë edhe policisë ndërsa nuk ka dashtë t’i komentojë deklaratat se ai është agjent.

“Munden me thanë çka të donë, në ballë nuk më shkruan asgjë”, është përgjigjur Krasniqi.

Ai është arsyetuar se nuk mbanë letërnjoftim apo dokumente të tjera identifikimi për shkak se ato i kanë humbur.

Vetëvendosje pretendon se Krasniqi u kap përderisa po tentonte fshehurazi të bebdoste pajisje përgjuese, ndërsa akuzon qeverinë për këtë akt.

“Represionit policor të Isa Mustafës po i shtohen edhe metodat përgjuese ndaj kundërshtarëve politikë. Kosova po shndërrohet në një shtet totalitar ku opozita torturohet nëpër stacione, kidnapohet në rrugë, dhe hetohet nëpër zyra”, ka thënë Vetëvendosje në deklaratë.

Por pretendimet e Vetëvendosjes janë përgënjeshtruar nga Policia.

Policia thotë se nga verifikimet e bëra, nuk rezulton që Qerim Krasniqi është zyrtar policor apo punonjës policie.
“Policia e Kosovës reagon fuqishëm ndaj komunikatës tendencioze të subjektit politik Vetëvendosje, e cila ka për qëllim dëmtimin e imazhit dhe veprimeve profesionale të Policisë së Kosovës, duke dezinformuar opinionin se personi i ndaluar kinse ka deklaruar se është pjesëtar i Policisë së Kosovës, çka në të vërtet i njëjti nuk është punonjës policie”, thuhet në komunikatën e Policisë. /KALLXO.com/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/flet-agjenti-qe-spiunoi-ne-vetevendosje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala