“Fjolla që nuk po shkrihet”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova vazhdon të prezantohet me fusnotë, tri vjet pas deklarimeve se ajo nuk paraqet ndonjë problem për vendin, dhe se “një ditë do të shkrihet”. Tash, vetë zyrtarët e institucioneve të Kosovës, po refuzojnë që të marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, për shkak të përdorimit të fusnotës, që diku-diku ka mbetur “e ngrirë”. Rasti i fundit ndodhi me konferencën e organizuar nga OSBE në qytetin bregdetar malazez, Budva, ku për shkak të kësaj fusnote, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës refuzuan të marrin pjesë.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti duke folur për Zëri, ka thënë se ndonëse marrëveshja e 2012-tës, nuk ka sjellë ndonjë të mirë, ajo marrëveshja megjithatë, ka karakter të përkohshëm dhe secila palë mund ta shfuqizojë atë.  “Kjo është një marrëveshje interesante, është ad hoc dhe unike, pasi nuk ka raste të tilla, por e mira e kësaj marrëveshjeje është se njëra ndër pikat e saj thotë se kjo marrëveshje ka karakter të përkohshëm, që po i bie se pas një periudhe të caktuar me denoncimin ose me refuzimin e njërës palë ajo mund të mos ketë efekt ligjor”, ka thënë ai.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se deklarimet e atëhershmë të Edita Tahirit që “fusnota është një fjollë bore që do të shkrihet”, ka dalë që të jetë tërësisht e gabuar e madje, sipas tij, ka dalë krejtësisht e kundërta, pasi që kjo fusontë jo vetëm që nuk është larguar prej komunikimit që ka Kosova në forumet rajonale dhe ndërkombëtare, por vetëm se është fuqizuar prezenca e saj në mënyrën se si përfaqësohet Kosova në këto forume.  “Prandaj ky është një minus i madh për Qeverinë e Kosovës, e cila nuk ka ditur ta menaxhojë strategjikisht fillimisht arritjen e marrëveshjes dhe pastaj edhe tërheqjen graduale prej saj”, ka thënë Korenica.  Marrëveshja e 2012-tës, i mundësoi Kosovës që të nënshkruaj vetë marrëveshje, e të marrë pjesë në takimet rajonale. Vendi do të emërohet vetëm Kosovë, me asterisk (fusnotë) dhe shpjegimi plotësues do të jetë: “Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe me Mendimin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Zeri/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fjolla-qe-nuk-po-shkrihet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala