Fitore Geci: Vëllezërit e mi nuk janë anëtarë të PDK-së (Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Incidenti i së hënës, ku mbetën të lënduar dy persona aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ishte politik.

Të paktën kështu i ka thënë KTV-së motra e dy prej të arrestuarve, të dyshuar si të involvuar në këtë rast, Fitore Geci, raporton KTV.

Ajo ka mohuar që vëllezërit e saj, Kushtrim e Alban Geci, janë anëtarë të PDK-së.

“Vetëm pse babai im ka luftuar në UÇK, kjo nuk do të thotë që të gjithë ne jemi me PDK-në”, i ka thënë Geci KTV-së nëpërmes telefonit, derisa ka preferuar të mos komentojë më tutje dhe që me rastin të merren organet e rendit.

Por për Vetëvendosjen ky ka qenë një sulm i planifikuar ndaj këtij subjekti politik.

Megjithëse pas incidentit disa persona ishin shoqëruar për në stacionin, arrestimin e vetëm dy personave si të dyshuar për lëndim trupor dhe kanosje e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Pas arrestimit, me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh dhe të njëjtit po mbahen në qendrën rajonale të mbajtjes në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se në rrahje ishin të përfshirë edhe dy persona të tjerë që i shoqëronin vëllezërit Geci, por të cilët kanë arritur të ikin, transmeton Koha.net.

E gjithë ngjarja, ku mbetën të lënduar tre persona, njëri nga ta i therur me thikë, por jashtë rrezikut për jetën, thuhet të ketë nisur shkaku i parkimit të veturës nga Alban e Kushtrim Gecit, për të vazhduar më pas me përleshje fizike. /koha.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fitore-geci-vellezerit-e-mi-nuk-jane-anetare-te-pdk-se-video/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala