Fischer dhe Veseli: Problemet në Kuvend të tejkalohen me dialog

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi takim me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer.

Veseli dhe Fischer diskutuan për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Austrisë, për MSA’në si dhe për gjendjen aktuale politike në Kosovë.

“Edhe pse në politikë gjithmonë ka hapësirë për t’u shprehur i pakënaqur me rrjedhën e gjërave, kur është fjala për raportet në mes Austrisë dhe Kosovës mund të themi se këto raporte janë shumë të mira, të kënaqshme dhe në zgjerim e sipër, përfshirë edhe fushën e ekonomisë”, ka thënë Fischer, për të shtuar se “tregues i kësaj është e forumi ekonomik i dy vendeve që po zhvillohet aktualisht në Kosovë, e ku janë të pranishme mbi 20 bisnese të fuqishme austriake”.

Duke folur për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, presidenti austriak përgëzoj institucionet e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim – Asociim me BE-në, për të theksuar se tash përpara është procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Vendet e Ballkanit perëndimor janë pjesë e Evropës dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për këto vende” theksoi presidenti Fischer.

Veseli duke falenderuar presidentin austriak për vizitën e tij që po zhvillon në Kosovë u shpreh se “Republika e Kosovës i konsideron si vlerë të veçantë raportet shumë të mira që kemi ndërtuar me Republikën e Austrisë dhe në këtë kontekst interesimi i kompanive austriake për ekonominë kosovare përbën një ngjarje me rëndësi kapitale për Kosovën”.

Më tutje Veseli theksoi se raportet e Kosovës me Austrinë janë raporte të shumëfishta miqësore, që padyshim kanë një impakt pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evro-atlantike.

Duke folur për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fischer theksoj se “ne në Austri, sidomos në përvojën shumë të mirë të Republikës së Dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, besojmë se problemet dhe çështjet edhe kur janë të dhimbshme duhet të trajtohen e zgjidhen në mënyrë paqësore dhe demokratike”.

Kryeparlamentari Veseli theksoi se “ajo çfarë është duke ndodhur është një situatë e vështirë e mosmarrëveshjeve në mes partive politike në pushtet e opozitë dhe insistimi i tij i vazhdueshëm është që kjo situatë të tejkalohet vetëm dhe vetëm përmes procedurave demokratike, dialogut dhe konsensusit”.

Fischer falenderoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për mundësinë që nesër t’u drejtohet me një fjalim, përfaqësueve të zgjedhur të popullit të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fischer-dhe-veseli-problemet-ne-kuvend-te-tejkalohen-me-dialog/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala