Fillon ndërtimi i TAP-it, vepra më e madhe në Shqipëri

Autori:Avdyl Pajaziti

Gazsjellësi Trans-Adriatik, investimi më i madh në historinë e shtetit shqiptar, jo vetëm për nga vlera, por edhe rëndësia strategjike, nis të marrë jetë në terren. Në Çorovodë u çel zyrtarisht fillimi i punimeve për ndërtimit e projektit, i cili shndërron Shqipërinë në një nyje të furnizimit me gaz.

“Është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar, që merr formë. Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, që daton në vitin 2013, nga fillimi i punimeve të ditës së sotme dhe deri në vitin 2018, pra në 3 vitet e ardhshme, vetëm nga ky investim prodhimi i brendshëm kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit dhe ekonomia jonë, vetëm nga ky projekt, do të përfitojë 1 miliard euro në 20 vitet në vijim”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Drejtori i përgjithshëm i TAP, Ian Bradshaw, tha se, përveç ndërtimit të gazsjellësit, kompania do të ndihmojë Shqipërinë në modernizimin e infrastrukturës së gazit.

“Përveç se do të rrisë dhe përmirësojë infrastrukturën e transportin në vend, TAP krijon lehtësi për mundësinë e gazifikimit të tregut shqiptar, si dhe më gjerë, të Evropës Juglindore. Duke qenë kështu, TAP vazhdon të punojë së bashku me ndërtuesit dhe ndërlidhësit në Greqi, Bullgari, dhe me naftësjellësin adriatiko-jonian. TAP mbetet i angazhuar për të kontribuar në masterplanin shqiptar për gazin, nëpërmjet ekspertizës teknike si dhe duke mundësuar rrjedhjen e gazit në Shqipëri, sot është një ditë që shënon fillesën e një rrugëtimi entuziazmues dhe sfidues”, tha drejtori Ian Bradshaw.

Aktualisht, Shqipëria është duke kryer studimin e masterplanit të gazit dhe atë të fizibilitetit, për ndërtimin e rrjetit lokal të gazit. Por, kryeministri Rama njoftoi dhe një tjetër projekt.

“Ne jemi të angazhuar ta kthejmë TAP-in në një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu edhe për Kosovën. Ndërtimi i një segmenti të TAP-it deri në Kosovë do të përbëjë ‘de facto’ autostradën e dytë energjetike mes dy vendeve tona, pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë, që po ecën me shumë shpejtësi, me cilësi të lartë dhe padiskutim që do të jetë gati vitin e ardhshëm”, u shpreh më tej kryeministri Rama.

Gazsjellësi Trans-Adriatik është një investim, i cili sipas institucioneve të specializuara financiare, si FMN dhe Moody’s do të rrisë potencialin e ekonomisë shqiptare për t’u zhvilluar më shpejt. Projekti pritet të hapë mijëra vende të reja pune, por mbi të gjitha, rrit fort rolin gjeostrategjik të Shqipërisë në Europë.

Ndërkohë, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri e cilësoi si historike nisjen e punës për këtë gazsjellës. “Është i rëndësishëm për ne, pasi na jep një burim të munguar energjie. Do të jetë i rëndësishëm për rajonin, përmes degëzimeve të tij, dhe për vetë Bashkimin Europian, që merr siguri energjetike”, u shpreh Gjiknuri. Ministri i Energjetikës shprehu zotimin e autoriteteve shqiptare për të shmangur çdo pengesë burokratike për investitorët.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fillon-ndertimi-i-tap-it-vepra-me-e-madhe-ne-shqiperi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala