Fillon Forumi Ekonomik Botëror në Davos

Autori:Zekirja Shabani

Në qytetin e vogël turistik Davos, në Zvicrën ka filluar Forumi i 46-të me radhë Ekonomik Botëror (WEF).

Në forumin e sivjemë, i cili do të zgjasë nga 20 deri më 23 janar, do të marrin pjesë zyrtarë të lartë dhe liderë prej gjithsej 40 vendeve të botës, ndërsa pritet që tema kryesore të jetë kriza e refugjatëve dhe ndryshimet klimatike, si dhe zhvillimet tjera globale, raporton Gazeta Fjala.

Në forum të pranishëm pritet të jenë zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden; sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry; kryeministri britanik, David Cameron; kryeministri turk, Ahmet Davutoglu; kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu; kryeministri grek, Aleksis Tsipras, kryeministri kanadez, Justin Trudeau; presidenti i Azerbejxhanit, Ilham Alijev; presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore, Mustafa Akinci; ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Gavad Zarif; sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe aktorët e njohur holivudianë, Leonardo Di Caprio dhe Keven Spacey.

Në takimin me titull “Revolucioni i katërt industrial” në tema të ndryshme do të bisedojnë 2 500 përfaqësues të mbi 100 vendeve.

Në forumin, i cili çdo vit përballet me protesta të ndryshme dhe dënime se është “elitar”, duke marrë parasysh faktin se viti i kaluar u shënua me krizën e refugjatëve, është përgatitur edhe një person simulues për të treguar kushtet e vështira nëpër të cilat kalojnë refugjatët.

Përveç zyrtarëve të lartë, në forum do të marrin pjesë edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar, shkencëtarë dhe përfaqësues të bashkësisë fetare.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fillon-forumi-ekonomik-boteror-ne-davos/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala