Ferizaji nuk i ka 60 milionë euro për hekurudhën

Janë rreth 60 milionë euro që Ferizajt i duhen për futjen e hekurudhës nën tokë në këtë qytet.
Dhe, përderisa kjo hekurudhë që kalon midis qytetit, ka shkaktuar dhe vazhdon të prodhojë aksidente, nga ana tjetër kostoja e lartë vazhdon ta mbajë peng projektin, shkruan sot Koha Ditore.
Autoritetet komunale të Ferizajt, ndërkaq, insistojnë se duhet të bëhen përpjekje të mëdha që të futet hekurudha nën tokë dhe të krijohet një metro e parë në Kosovë, por ky deklarim nuk del i besueshëm për shoqërinë civile, ndërsa autoriteti i Hekurudhave të Kosovës përjashton mundësinë e përfshirjes në koston financiare që mund ta bëjë Ferizajn me metro.
Megjithatë, Xhavit Zariqi, nënkryetar i Ferizajt, këmbëngul se ka pasur disa negociata me biznesmenë, nga Turqia, të cilët, sipas tij, mund të investojnë në hekurudhën e këtij qyteti.