Ferizajasit rrezikohen nga fasadat e ndërtesave (Foto)

Forumi Politik i të Rinjve nga Ferizaj shpreh shqetësimin nga rreziku që iu shkaktohet qytetarëve nga fasada e ndërtesave kolektive që ka filluar të shembet.
Ata përmes një komunikate për media kanë reaguar duke dërguar edhe disa fotografi që e tregojnë gjendjen jo të mirë.
Kjo është komunikata:
Forumi Politik i të Rinjve, shpreh shqetësimin lidhur me rrezikun që i kanoset qytetarëve nga fasadat e vjetruara të ndërtesave kolektive në Komunën e Ferizajt. Fatkeqësisht, ky rrezik është manifestuar në formë fatale duke lënë të vdekur një person para pak kohësh.
Kuvendi Komunal në Ferizaj ka ndërmarrë disa veprime duke larguar mbajtëset e luleve, hequr rregullimet nga ballkonet e këtyre ndërtesave, mirëpo ky problem vazhdon të shqetësoj qytetarët e Ferizajt, për shkakun se rrezik permanent paraqet vet fasada e ndërtesës përkatëse.
Komuna e Ferizajt, duhet të angazhoj një kompani private apo të krijoj ndërmarrjen për mirëmbajtje banesore në mënyrë që të evitohen këto probleme dhe të rrisin sigurinë e qytetarëve të Ferizajt. Kjo çështje është ngritur disa herë nga akter të shoqërisë civile, mirëpo Komuna e Ferizajt përveç paaftësisë për të krijuar një ndërmarrje të tillë për mirëmbajtje, nuk ka ndarë as fonde publike që do të përdoreshin kryekëput me këtë problematikë.
Deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje, qytetarët janë të detyruar të lëvizin me kujdes të shtuar në zonat ku ndodhen këto ndërtesa, e që fatkeqësisht është zona më e frekuentuar- Qendra e qytetit.
Forumi Politik i të Rinjëve(FOPOR) kërkon nga Kuvendi Komunal në Ferizaj:
• Që me urgjencë dhe profesionalizëm të hartoj planin për mirëmbajtjen dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve, siguri kjo që cenohet nga mosmirëmbajtja e ndërtesave kolektive,
• Bashkëpunim me qytetarët për evitimin e rreziqeve nga këto ndërtesa
• Krijimi i ndërmarrjes komunale për mirëmbajtjen e ndërtesave publike-kolektive
• Të përkrah funksionimin e Këshillave të Banesës në kuptimin e kompetencave lokale për ndërtesat publike-kolektive
• Të bëj vlerësim profesional për rrezikshmërinë e ndërtesave të tilla
• Të shenjëzoj, paralajmëroj qytetarët për rrezikun që i kanoset nga këto ndërtesa.