Ferizaj pastron ambientin

Autori:Avdyl Pajaziti

Me moton “Të jetojmë pastër” të dielën në Ferizaj ka filluar aksioni njëmujor i pastrimit të qytetit. Ky aksion i cili po zhvillohet nën patronatin e kryetarit të komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka tubuar nxënësit e shkollave të komunës, shoqërinë civile, sportistët dhe ambientalistët, të cilët do të jenë pjesë e projekteve të parapara që të zhvillohen gjatë kësaj kohe.

I pari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, i cili edhe vet ishte dalë sot në terren ka thënë se ky aktivitet përveç pastrimit të hapësirave publike, do të ketë efektin e vet edhe në senzibilimin e opinionit si dhe do të rrisë përgjegjshmërinë qytetare karshi ambientit.

“Përveç aspektit të pastrimit, ky projekt i nisur do të nxisë ambientalistët që të qëndrojnë në këmbë të tyre dhe luftojnë më dinjitetshëm për mbrojtjen e ambientit në mënyrë që të gjitha strukturat e popullsisë të jenë pjesë rrjedhëse të këtyre aktiviteteve që organizohen nga komuna dhe në të njëjtën kohë të jenë pjesë jo vetëm mbështetëse por edhe vendimmarrëse për të gjitha këto aktivitete që janë të domosdoshme dhe të dobishme për të gjithë ne”, ka thënë Sfarqa.

Aksioni i nisur po përkrahet edhe nga shoqëria civile e Ferizajt, përfaqësuesit e së cilës kanë thënë se ky aktivitet është një mesazh për qytetarët e komunës se edhe ata duhet të jenë pjesë aktive e këtyre nismave që për bazë kanë projektet mjedisore.

“Duhet të rritet përgjegjshmëria qytetare ndaj mjedisit por edhe përgjegjshmëria institucionale ndaj ndotësve përmes shqiptimit të gjobave. Në këtë drejtim komuna e Ferizajt ka pasur ngecje sidomos tek gjobat. Këtu nuk duhet përjashtuar edhe përgjegjësinë e institucioneve tjera siç është policia”, ka thënë ekologu Kenan Gashi, nga rrjeti i OJQ-ve “Avonet”

Gjatë kohës sa do të zgjasë ky projekt do të zhvillohen një mori aktivitetesh siç është aktiviteti i njohur si ecja pa makina-me biçikleta, mbjellja e fidanëve në hapësirat e dëmtuara, pastrimi sipas hartës ekologjike, pjesëmarrja në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” si dhe organizimi i një koncerti me rastin e mbylljes së këtij projekti me rock grupet e qytetit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ferizaj-pastron-ambientin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala