Ferizaj pa ndriçim publik, 23 mijë euro borxh KEDS-it

Autori:Avdyl Pajaziti

Rrugët e Ferizajt që disa ditë kanë mbetur pa ndriçim publik. Zyrtarë komunalë kanë thënë të martën se komuna e ka shlyer një pjesë të borxhit prej 30 mijë eurove, nga 53 mijë sa ia ka pasur KEDS-it, por kompania energjetike po insiston edhe për pjesën tjetër të borxhit të pashlyer.

Drejtori i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Faruk Hyseni, ka thënë se kompanisë i janë paguar 30 mijë euro borxh, shumë kjo siç po duket jo e mjaftueshme për ta rikthyer ndriçimin publik.

“Por për këtë nga KEDS kërkohet edhe pagesa e një shumë prej 23 mijë eurosh i cili është borxh i vitit të kaluar, për ta rikthyer ndriçimi publik”, ka thënë Hyseni.

Si zakonisht menaxhmenti i kësaj kompanie në Ferizaj këto çështje i adreson në qendër, ndërsa zyrtarët komunal thonë se në fillim të muajit tetor ky borxh do të paguhet nga komuna.“Edhe pse për momentin nuk ka mjete të mjaftueshme për shlyerjen e këtij borxhi presim që në fillim të muajit tetor të kemi alokim të mjeteve nga Qeveria dhe me këtë edhe do të kemi mundësi të shlyejmë këtë borxh dhe të mos kemi probleme me ndriçimin publik” tha Hyseni.

Bëhet e ditur se komuna është në kont akt me zyrtarët e KEDS-it me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhje për këtë problem rëndues.

Ndryshe, pothuajse në të gjitha rrugët e qytetit dhe fshatrave të Ferizajt mungon ndriçimi publik, i cili po ndikon në sigurinë e qytetarëve, të cilët të revoltuar mendojnë se krejt kjo është lojë në kurriz të tyre. Alush Ismajli, banor i rrugës “Zenel Hajdini” thotë se kjo nuk ka kuptim ngase nëpër këtë rrugë kalojnë shumë nxënës të cilët kur kthehen nga shkolla në orët e vona janë të rrezikuar./lajmi.net/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ferizaj-pa-ndricim-publik-23-mije-euro-borxh-keds-it/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala