Ferat Shala takohet me bashkëluftëtarin: Tregimi për Shaban Bujupin është inspirues

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka shpërndarë një foto me mikun e tij Shaban Bujupi, shkruan Gazeta inFokus.
Shala ka bërë të ditur se tregimet e Shaban Bujupit janë frymëzim e inspirim.
“Tregimi për Shaban Bujupin është çdo herë frymëzim e inspirim. Të rralla janë ato familje si e Shaban Bujupit që u vu e tëra në shërbim të luftës çlirimtare. Gjatë tërë luftës kjo familje ishte e mobilizuar tërësisht, edhe me fuqinë njerëzore, edhe me ekonominë familjare”, shkruan ai.
Ai po ashtu tha se “Shaban Bujupit pak iu duk pushka e vet; ai shumë shpejt në luftë e mori edhe të birin – Besirin, si dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes së ngushtë por edhe të gjerë Bujupi. Babë e djalë luftuan bashkë në çdo istikam, me nderë e heroizëm, deri në çlirimin e plotë të vendit”.
Ndërsa ka treguar se gjatë luftës të dy së bashku kanë fituar shumë beteja.
“Me Shaban Bujupin kemi fituar shumë beteja të luftës, ndërkaq bashkë do t’i fitojmë edhe betejat e paqes. Ashtu siç ishim të bashkuar në luftës, sot jemi bashkë në procesin e mundimshëm të shtetndërtimit”, ka përfunduar Shala.
