Faton Topalli: Kryeministër a është ky dialogu që e kërkon?

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli nëpërmjet Facebookut iu ka drejtuar kryeministrit Isa Mustafa në lidhje me ngjarjet e djeshme.

Topalli ka thënë se dje u përdorën edhe armët e gjata ndaj aktivistëve të VV-së, transmeton Klan Kosova.

Ky është postimi i plotë i Topallit:

“Me pushkë të gjata, drejtuar në trupat e vajzave dhe djemve të Vetëvendosjes
– Kryeministër a është ky dialogu që e kërkon ti?
Profesor, Akademik, Dr. Isa Mustafa, premtove vende të reja pune, mirëqenie qytetare dhe zhvillim ekonomik. Mbrëmë tregove cili është programi yt i vërtetë qeverisës, kujt i shërben dhe për çka angazhohesh. Duke burgosur Albin Kurtin dhe Donika Kadën-Bujupin, për shkak të angazhimit të tyre kundër kthimit të Serbisë në Kosovë, tregove se sa frikacak je, sa i pa zot, sa i ligë. Perspektiva jote për Kosovën është perspektiv e dhunës. Plani yt për të dhunuar protestuesit paqësorë me 28 Nëntor, kundër politikës tënde dështoi sepse ata nuk të dhanë as më të voglin shkas. Ta prishën planin. U detyrove ta ndryshosh. Mbrëmë nuk përdore gazin lotsjellës. Avancove programin qeverisës nga përdorimi i gazit lotsjellës kundër tyre, në përdorimin e pushkëve të gjata. Ti je i gatshëm ti përdorësh edhe ato kundër atyre që ta prishin planin për Serbinë. Mbrëmë e shfaqe paturpësisht gatishmërinë tënde për dhunë, për gjakderdhje.
Shoku yt i Lidhjes Komuniste të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të cilit ti i shërbeve deri në fund, asnjëherë nuk i kishte bastisur zyrat e selisë së partisë që sot drejton ti. Ti ia kalove. Jo vetëm që i bastise por edhe i theve dyert e Lëvizjes Vetëvendosje! Shkatërrove kompjuter, dyer, karrige dhe more me vete ato që solle vet për të justifikuar operacionin tënd policor. Gjakose mbi 90 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, mes tyre ish të burgosur politik dhe themelues të UÇK-ës. Mbrëmë vërtetove që përdorimi i dhunës secilën herë u provokua qëllimisht nga ti. Kjo nuk ishte rastësi, nuk ishte vendim i momentit, por plan. Këtë plan e zbatove kur arrestove për herë të parë Albin Kurtin, kur burgose Donika Kada- Bujupin, kur burgose dje për herë të dytë Albin Kurtin dhe aktivistët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kur Visar Imer kërkoi vendimin për bastisjen e zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje, “xhandarët” e tu nuk e kishin, sepse ky shtet nuk është shtet, sepse në këtë vend nuk sundon ligji. Në media thërret për dialog. A është ky dialogu që kërkon ti? A është ky shteti të cilin ti dëshiron ta ndërton? A është ky imazhi që ti donë ta ketë bota për Kosovën? Pamjet në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, me pushkë të policëve të drejtuara kundër qytetarëve të vendit tënd, kundër Vetëvendosjes, pa dyshi që do ta ”rrisin” imazhin e Kosovës në botë. Ti s’ke të drejtë kur më të flasësh për imazhin. Sa më shumë ta avancosh programin tënd qeverisës, aq më i shkurtë do të jetë pushteti yt. Mbrëmë u tregove të gjithëve kush je, një kryeministër i pa besë, i dhunshëm, dashakeqës, i pa shpirt dhe pa fytyrë. Nuk është në natyrën time të fyej askënd, por ti nuk len mundësi tjetër. Paç faqen e zezë Kryeministër!
Mos mendo që na frikësove. Ne e duam vendin më shumë se ti pushtetin. Ti nuk mund të na ndalosh. Serbia nuk mund të kthehet në Kosovë. Ti mund të na burgosësh trupin, por jo dashurinë për vendin”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/faton-topalli-kryeminister-a-eshte-ky-dialogu-qe-e-kerkon/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala