Familjarët e të dënuarve: “Monstra”, proces i montuar gjyqësor

Autori:Gazeta Fjala

Ka kaluar një vit që kur Gjykata Themelore “Shkupi l” i dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarët e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në vitin 2012 në afërsi të Shkupit, por nga ana e Gjykatës së Apelit ende nuk ka verifikim përfundimtar të këtij dënimi.

Ankesa e të dënuarve ende ndodhet pranë Gjykatës së Apelit, e cila vazhdon shtyrjen e sjelljes së vendimit, edhe pse seanca dëgjimore u mbajt më 11 shtator të këtij viti.

Bedri Hajdari, njëri nga familjarët e të dënuarve lidhur me rastin “Monstra”, pohon për mediat se jo vetëm Gjykata e Apelit nuk solli vendim ditën kur u mbajt seanca dëgjimore, por ajo nuk e ka caktuar as datën e saktë të sjelljes së vendimit.

“Na kanë thënë se deri në sjelljen e vendimit do të kalojë përafërsisht një muaj, por ja që kaloi një muaj e gjysmë dhe nuk kemi asnjë informatë apo të dhënë për atë që do të ndodhë”, thotë Hajdari.

Hajdari dyshon se Gjykata e Apelit, apo kushdoqoftë që qëndron pas këtij rasti të montuar, pret të shohë se si do të zhvillohen ngjarjet politike dhe më pas të sjellë vendimin.

Ndërkohë, familjarët e të dënuarve lidhur me rastin “Monstra” i janë drejtuar me letër edhe Prokurores Speciale, Katica Janevës, duke kërkuar nga ajo që me urgjencë ta shqyrtojë këtë rast gjyqësor./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/familjaret-e-te-denuarve-monstra-proces-i-montuar-gjyqesor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala