Falenderimi i Thaçit lajm në mediat gjermane

Autori:Avdyl Pajaziti

Agjencia Gjermane e Lajmeve, ka zgjedhur që të merret më shumë me falënderimin e Thaçit në gjuhën gjermane, se me vizitën e kryeministrit dhe delegacionit kosovar në Berlinin zyrtar.
Pas vizitës zyrtare në Berlin, shkruan DPA, kryeministri disavjeçar i Kosovës, Hashim Thaçi, tash zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ka falënderuar në një mënyrë shumë të veçantë kancelaren gjermane, Angela Merkel. “Danke Bundeskanzlerin Merkel! Danke Deutschland”, ka shkruar Thaçi, raporton Agjencia e Lajmeve Gjermane.

Sipas DPA, delegacioni kosovar ka siguruar Merkelin se do të ketë përparime në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Merkel ka thënë se pa arritjen e marrëveshjeve në dialogun e lehtësuar nga BE, nuk ka perspektivë evropiane për këto dy shtete.

Lexoni postimin e Thaçit në Facebook, ku falënderon shtetin gjerman.

“Pata kënaqësinë që sot, së bashku me Kryeministrin Mustafa, të takoj Kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një takim dhe drekë pune shumë të përzemërt. Kemi biseduar për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me marrëdhënie bilaterale, shkëmbimin tregtar, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kemi falënderuar Kancelaren Merkel për rolin e saj përcaktues në lehtësimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E siguruam atë që ne do të vazhdojmë të jemi konstruktiv dhe të përkushtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE në arritjen e marrëveshjeve të reja. Po ashtu biseduam edhe për iniciativën e Kancelares Merkel, i quajtur Procesi i Berlinit, i cili mbështet përafrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor përmes zhvillimit ekonomik. Kërkuam mbështetjen e Kancelares edhe në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE. Kemi siguruar Kancelaren se Kosova shumë shpejt do të themelojë Gjykatën Speciale dhe do t’i kryejë obligimet tjera ndërkombëtare. Gjermania mbetet partneri kryesor i Kosovës. Danke Bundeskanzlerin Merkel! Danke Deutschland! HTH”. (sic).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/falenderimi-i-thacit-lajm-ne-mediat-gjermane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala