FAK-u “përçan” shtetin

Autori:Avdyl Pajaziti

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të shkojnë në pjesën veriore pa marrëveshje me NATO-m është kundërshtuar nga presidentja, Atifete Jahjaga, e cila ka thënë se FAK-u do të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ndërkohë, që edhe më i ashpër ka qenë reagimi i komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i cili ka thënë se FAK-u nuk ka nevojë të kërkojë leje nga NATO-ja për të shkuar në veri. Sipas Ramës  ushtria e ardhmshe e Kosovës do të veprojë në bazë të nevojave që paraqiten në terren.

Ndërsa eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për Zëri se mosshkuarja e ushtrisë në pjesën veriore nënkupton që Kosova nuk ka sovranitet të plotë, megjithatë, ai ka thënë se situata politike në veri të vendit e pamundëson shkuarjen e FAK-ut atje. Po, sipas tij, kryeministri Mustafa nuk është dashur të japë atë deklaratë në këtë kohë.

“Duhet të potencohet se çdo shtet duhet t’i ketë tri elemente: popullin, territorin dhe sovranitetin. Dhe një vend në të cilin ushtria e tij nuk shtrihet në tërë territorin e tij, atëherë nuk mund të thuhet se ai shtet ka sovranitet të plotë. Deklarata e kryeministrit, Isa Mustafa, pastaj deklarata e komandantit të FSK-së ishin paksa kontradiktore. Megjithatë, duhet të thuhet se deklarata e Mustafës është korrekte, pasi ashtu është situata aktuale, por momentalisht nuk do të duhej të deklarohej në atë mënyrë”, ka thënë Islami.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/fak-u-percan-shtetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala