“Facebook” – qeverisja

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, kanë qenë shumë aktivë edhe në rrjete sociale. Por, në to janë treguar selektivë. Nuk kanë postuar qëndrime për temat në të cilat nuk janë ndier komodë, shkruan sot Koha Ditore.

Për shembull, për migrimin e madh të kosovarëve, për ngjarjet në Kumanovë, që për epilog patën vrasjen e tetë kosovarëve, e edhe tash për rastin e ndalimit të Ramush Haradinajt nga autoritetet sllovene. Por, nuk kanë hezituar të bëjnë postime të stilit “urime dhe përshëndetje”, apo edhe për të promovuar veten dhe për t’u bërë publicitet takimeve.

Mustafa, nëpërmjet “Facebookut”, është grindur në distancë me analistë a gazetarë që ia kanë denoncuar sjelljet ose veprimet. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ai ka shkruar për “tendencat abuzive me lirinë e shprehjes”, e në prag të zgjedhjeve në partinë e tij, në një postim ka theksuar se “janë vajtuese dhe të logjikës së falltareve shumë nga vlerësimet e analistëve për LDK-në”.

Thaçi, ndërkaq, ka prezantuar lajme të shkurtra nga takimet dhe aty-këtu ka bërë ndonjë urim. Midis tyre është edhe urimi për shefin, me t’u zgjedhur kryetar i LDK-së në një proces kundërstatutar dhe jotransparent.

“I uroj z. Isa Mustafa rizgjedhjen në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe shumë suksese në angazhimet tuaja!”, ka postuar Thaçi.

Ka këtë përmbajtje një postim, të cilit i është shoqëruar fotografia ku shihet Thaçi me babanë e tij dhe të birin”: “Para se të nisem në Luksemburg për vizitë shtetërore, u ndala në Burojë ta uroj babën tim, Haxhi Thaçin, për ditëlindjen e 77-të. Ende i fortë, ende shtyllë e familjes, ende aktiv – prej fushës së pemishtes në fushë të shahut”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/facebook-qeverisja/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala