Facebook ndalon reklamimin e armëve të zjarrit

Autori:Avdyl Pajaziti

Përdoruesit individualë nuk do të lejohen më të reklamojnë armë në Facebook dhe Instagram, shërbimi i përhapjes së fotove në pronësi të rrjetit social.

Facebook ka ndaluar tashmë shitjen e armëve pa kontroll të identitetit, por rregullat e reja synojnë të ndalojnë tregtinë e armëve mes individëve rrjete sociale.

Megjithatë, bizneset do të mund të reklamojnë armët e tyre në Facebook dhe Instagram.

Lëvizja vjen tre javë pasi presidenti amerikan Barack Obama publikoi masat shtrënguese mbi blerjen e armëve.

Veprimet ekzekutive të presidentit Obama përfshijnë kontrollin e të dhënave bazë për të gjithë shitësit e armëve dhe nevojën që shtetet të sigurojnë informacion mbi personat e pakualifikuar për blerjen e tyre për shkak të sëmundjeve mendore apo dhunës në familje.

Ndryshimi i rregullave e vendos shitjen e armëve nën të njëjtat kufizime të vendosura nga Facebook edhe për ilaçet dhe medikamentet ilegale.

“Facebook, fatkeqësisht dhe pa dashje ishte kthyer në një platformë online për armatosjen e personave të rrezikshëm”, deklaroi Shannon Watts, përfaqësuese e një grupi kundër përhapjes së armëve.

Grupi lobues Çdo Qytet i Sigurt nga Armët deklaroi se kishte gjetur prova se, në të paktën dy raste armët ishin blerë në rrjetin social dhe më pas ishin përdorur për të vrarë persona të tjerë.

Grupi në fjalë ishte gjithashtu një nga grupet e shumta që i bënë thirrje Facebook të ndryshonte politikën e tij.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/facebook-ndalon-reklamimin-e-armeve-te-zjarrit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala