Facebook e Twitter mbështesin Applen në luftë kundër FBI-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Dy rrjetet sociale Facebook dhe Twitter kanë hyrë në luftë me FBI-në, me të dyja kompanitë duke theksuar se përkrahin Applen dhe do të “luftojnë me agresivitet” kundër tentimeve për të dobësuar enkriptimin. Apple është duke zhvilluar një betejë ligjore kundër FBI-së, e cila është duke u përpjekur që të hyjë në informacionet e koduara në një iPhone, të cilin e kishte përdorur njëri prej vrasësve të San Bernardinos, shkruan The Guardian.

“Ne dënojmë terrorizimin dhe solidarizohemi plotësisht me viktimat e terrorit. Ata që kërkojnë të promovojnë terrorizmin nuk kanë vend në shërbimet tona”, është thënë në një deklaratë nga Facebooku, transmeton Koha.net. Por, më tutje në deklaratë thuhet se, “megjithatë, do të vazhdojmë të luftojmë me agresivitet kundër kërkesave ndaj kompanive që të dobësojnë sistemet e tyre të sigurisë. Këto kërkesa do të krijonte një precedent cenues dhe do të pengojnë përpjekjet e kompanive, për të siguruar produktet e tyre”.

Ndërsa drejtori i Twitterit, Jack Dorsey kishte shkruar se kompania e tij qëndron plotësisht prapa Apple. “Qëndrojmë prapa Tim Cookit dhe Applet, dhe e falënderojmë atë për udhëheqjen”, ka thkruar Dorsey. Një gjyqtar federal ka urdhëruar Apple të krijojë dhe të digjitalizojë një softuer për përditësimin që ta bënte më të lehtë gjetjen e fjalëkalimit në një iPhone 5c. Ky telefon i takonte Syed Farook, një nga vrasësit e sulmeve në San Bernardino në Los Anxhelos, Kaliforni. FBI kishte thënë se nuk ka qasje në telefonin e tij për shkak të masave të sigurisë nga Apple.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/facebook-e-twitter-mbeshtesin-applen-ne-lufte-kunder-fbi-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala